Brenda 15 majave stadiumi “Arena Kombëtare” në kryeqytet, do të jetë gati. Ky stadium do të shërbejë jo vetëm për ndeshjet e skuadrës tonë kombëtare, por edhe si një qendër multifunksionale, duke ofruar shërbime dhe argëtim gjatë gjithë ditëve të javës.
Gjithashtu “Arena Kombëtare” është një nga kandidaturat zyrtare të UEFA-s për zhvillimin e finales së Superkupës së Europës 2019. Teksa inspektoi punimet, kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se stadiumi i ri do të jetë xhevahiri i ri i Tiranës.
“Jam i kënaqur, do jetë një xhevahir për Tiranën dhe besoj që kritikët do zhgënjehen, kurse dashamirësit do mrekullohen. Për të gjitha palët do të jetë një habi, ndaj duhet të kemi pak më shumë besim tek puna e njerëzve të mirë. Vërtet është talenti i tij dhe i një skuadre arkitektësh me famë botërore, por stafi është shqiptar, punëtorë, inxhinierë e furnitorë shqiptarë dhe i gjithë ky investim në fakt është një investim në ekonominë shqiptare.”
Për kryebashkiakun Veliaj ndërtimi i këtij stadiumi është një investim që jo vetëm ruan fizionominë fillestare të impiantit të vjetër, por njëkohësisht i shton një tjetër vlerë kryeqytetit.
“Do jetë diçka që do na bëjë krenarë të gjithëve, ndaj besoj se është një investim inteligjent i qeverisë shqiptare, i cili i shton vlerë qytetit, ruan fizionominë fillestare, origjinale të trashëgimisë që kishim nga stadiumi i vjetër. Çdo gur është numëruar për t’u rivendosur sërish dhe për ta ruajtur fasadën, por për të pasur gjithashtu një stadium modern, pa dyshim një ndër më modernët sot në Europë. Mezi pres që në fund të këtij ‘operacioni’, të gjithë ata që kritikuan dhe prodhuan gjithë atë histeri të zhgënjehen pozitivisht, e po kështu të gjithë ata që e deshën këtë projekt që nga fillimi, të ndihen krenarë që mbështetën një Shqipëri e një Tiranë që punon e po ndryshon.”
Ndërtimi i stadiumit “Arena Kombëtare” do t’i japë zgjidhje edhe çështjes së parkimit të automjeteve në qendër.