Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se sot Tirana është një qytet kozmopolitan, që po jeton ditët e saj më të mira. Gjatë inspektimit të punimeve për godinën e re të shërbimeve për qytetarët në Bulevardin “Zogu I”, Veliaj shtoi se me kantieret e punës të hapura, bashkia është një nga kontribuuesit kryesorë të zhvillimit.

Sot jemi në një Tiranë kozmopolitane. Bashkia e Tiranës është kontribuesi kryesor, duke qenë se ka zona të mëdha në rindërtim, siç është zona e Kombinatit dhe e 5 Majit. Shumë shpejt do të kemi edhe shortet e reja për ndarjen e shtëpive për banorët e fundit. Unë besoj se Tirana sot po jeton ditët e saj më të mira. Industria e ndërtimit është një nga punëdhënësit më të mëdhenj. Ka debate të ndryshme, sepse këtu çdo gjë ha debat, edhe një teatër, edhe një shesh, edhe një pazar, edhe një kala, edhe te liqeni, edhe te Bulevardi i Ri, edhe te Kombinati, edhe te 5 Maji e te Bregu i Lumit. Mesa duket jemi destinuar të punojmë me debat. Ajo që thonë statistikat është se, ndërtimi, bashkë me turizmin dhe teknologjinë e informacionit, është një nga industritë që kanë sjellë këtë bum në Tiranë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë komentoi edhe rritjen e vlerës së pronës së qytetarëve në kryeqytet.

“Sa më shumë punojmë, sa më me cilësi e me estetikë i bëjmë gjërat, aq më lart shkon niveli i punës. Për të gjithë ata që kanë vërejtje për çmimin e pronës në Tiranë, pyes: ‘Po sikur çmimi i pronës të binte e sikur të përgjysmohej, a do ishte më mirë për atë që është pronar apo më keq? Rritja e vlerës së pronës në një qytet ku 93% e qytetarëve janë pronarë e jo qiraxhinj, është lajm i mirë për këta 93%. Për 7% të tjeret, që janë qiraxhinj, ka banesa sociale, bonus qiraje, ka kredi të buta nga Bashkia e Tiranës. Kush thotë duhen qindra vite për të blerë një shtëpi në Tiranë, duhet të shohë që në Tiranë ka shumë pak, në mos aspak, të pastrehë, e nëse ka, vijnë nga rrethet. Nëse do ishte keshtu, atëherë do ishim të gjithë duke fjetur rrugëve”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku apeloi për më shumë bashkëpunim, teksa nënvizoi se fushata ka mbaruar e të gjithë tani duhet të japim një dorë që Tirana të vazhdojë të ngjitet sa më lart. “Le të mos e mallkojmë Tiranën, le të mos e shajmë progresin e qytetit, le të mos i vëmë stërkëmbësha qytetit. Qyteti ecën përpara kur bekohet dhe merr uratën nga të gjithë, sesa kur gjejmë arsye për t’i vënë stërkëmbësha qytetit tonë. Ky është qyteti ynë, është shtëpia jonë, është familja jonë. Fushata ka mbaruar e të gjithë tani duhet të japim një dorë që Tirana të vazhdojë të ngjitet sa më lart”, theksoi Veliaj./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *