Subscribe

Rezistenca që iu bë ndërhyrjes në parkun e Liqenit sipas kryebashkiakut Veliaj, është e njëjtë me atë që po i bëhet teatrit të ri kombëtar. Gjatë inspektimit të punimeve për pistat e vrapimit dhe korsitë e biçikletave, Veliaj tha se kohët kanë ndryshuar dhe se asgjë e re nuk mund të mbetet peng i nostalgjikëve.

 

 “Më kujtohet projekti ynë i parë te Liqeni: këndi i lodrave për fëmijë. I mbaj mend edhe lëvizjet, atëherë quhej: “Mos ma prek Parkun”, kurse sot quhet: “Mos ma prek Teatrin”; është e njëjta gjë. Pyetja është kjo: Nëse nuk i prekim gjërat me dorë, si do i ndryshojmë? Gjërat ndryshohen kur preken me dorë. As shtëpia nuk rregullohet vetë, po nuk vumë dorë. Pra, e gjithë kjo frymë rezistence ndaj ndryshimit, është si fryma e atyre që vazhdojnë të përdorin telefonin e vjetër me butona, kur bota sot ka smartphone. Ndaj, pyetja që kemi sot është: A do të vazhdojmë të modernizohemi apo do të mbetemi peng i ca nostalgjive apo ca fiksimeve?”

 

Veliaj tha se nuk ka zhvillim pa ndryshim, ndaj ata që kërkojnë stanjacionin duhet ta kuptojnë se transformimi i Tiranës nuk do të ndalet.

 

“Qytetet, përfshi edhe Tiranën tonë, janë zhvilluar kur kanë ndryshuar. Të thuash s’kemi park, s’kemi teatër, s’kemi shesh, s’kemi bulevard dhe pastaj kur fillon e i bën këto, i kthehesh: Mos ma prek këtë, mos ma prek atë, është realisht një humor i zi, që nuk bën për të qeshur. Ndaj, është shumë e rëndësishme që ta vazhdojmë transformimin e Tiranës dhe për këdo që nuk e kishte të plotë vizionin kur pa vetëm këndin e lodrave, por tani me librarinë, korsitë, pistat, pyllin orbital, besoj se na jep të drejtë kur themi se vetëm kur i prekim gjërat me dorë, mund t’i ndryshojmë. Fatin tonë nuk na e ka njeri tjetër në dorë dhe për ta bërë Shqipërinë dhe Tiranën si jashtë shtetit e kemi vetë në dorë”

 

Parku i liqenit pas ndërhyrjeve vizitohet nga 300 mijë qytetarë, një numër që është gjithnjë në rritje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *