Subscribe

Transporti publik urban në Tiranë do të pësojë disa ndryshime pozitive në shërbim të qytetarëve, por edhe në përmirësimin e qarkullimit në qytet.

 

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me ekspertët dhe agjencinë gjermane të GIZ-it, po studion planin për të kthyer tre linja ekzistuese me korsi të dedikuara për autobusët, me qëllim lëvizjen më shpejt të qytetarëve. Lajmin e dha kryebashkiaku Erion Veliaj në prezantimin e flotës së gjelbër të autobusëve, në një aktivitet ku morën pjesë edhe ekspertët gjermanë të GIZ-it, që po asistojnë Bashkinë e Tiranës në përmirësimin e shërbimit të transportit.

 

“Për ta bërë edhe më të pëlqyeshëm dhe frekuentueshëm përdorimin e autobusit, bashkë me ekspertët e GIZ-it po hartojmë një plan për të kthyer tre linja të Tiranës – linjën Kinostudio-Kombinat, linjën e Unazës dhe linjën e Tiranës së Re – në atë që quhet ‘Bus Rapid Transit’: pra, linja me korsi të dedikuar, të ngjashme me ato që mund të keni parë në Stamboll, që funksionojnë si tram ose metro, por në këtë rast janë autobusë. Ka shumë njerëz që thonë pse nuk e bëjmë dot një tram ose metro në Tiranë. Së pari, sepse nuk gënjejnë për fushatë dhe pastaj nuk e bëjmë tramin. Së dyti, është llogari. Shumë prej vendeve të Ballkanit, siç mund të jenë Bullgaria apo Rumania, e përballojnë metronë vetëm falë subvencioneve sepse janë anëtare të BE-së”, tha Veliaj.

 

Kryebashkiaku theksoi se aktualisht bileta e transportit publik është më e ulëta në rajon, ndërsa siguroi se qeveria dhe bashkia do të vijojnë mbështetjen për operatorët për të mos ndryshuar çmimin.

 

“Në Tiranë, çmimi i biletës është 40 lek, në Kosovë 50 cent euro. Prishtina ka shumë më pak linja autobusësh, kurse Tirana ka 15 linja vetëm urbane. Pra, kush del dhe proteston për çmimin e autobusit, qartazi sa ka zbritur nga makina e tij, se po të kishte qenë në autobus, do ta dinte se është e pavërtetë. Faktet i kemi njësoj, por opinionet mund t’i kemi ndryshe. Ajo që ndodhi është se bëmë dy ndërhyje për operatorët e transportit publik, si nga qeveria, ashtu edhe nga bashkia. Bashkia e Tiranës ndërhyri përpara krizës së naftës, duke subvencionuar operatorët, por ndërkohë qeveria bëri një ofertë edhe më të mirë për subvencionimin e naftës në momentin që u pa se duhet rikuperuar kostoja e lartë e operimit të këtij transporti. Sot, bileta është jo vetëm më e lira në të gjithë rajonin, por jemi në një situatë kur kush merr abone 16 mijë lekë të vjetra, praktikisht e ka biletën 10 cent. Për studentët çmimi është edhe më i ulët”, sqaroi Veliaj.

 

Eksperti i GIZ-it, Christian Mettke, u shpreh se ndihet krenar me rezultatet e arritura në Tiranë me përmirësimin e shërbimit të transportit publik.

 

“Në Tiranë përdoren rreth 200 mijë makina e kjo do të thotë se duhet të bëjmë më shumë sa i përket transportit publik. Po punojmë shumë dhe jam i lumtur që ka rezultat. Kemi një flotë të re autobusësh elektrikë, që synojmë ta zgjerojmë. Kjo ka sjellë një ndikim të dukshëm ekonomik dhe mendoni se sa do të ndikojë edhe në të ardhmen”, tha ai.

 

Eksperti gjerman theksoi se përmirësim të dukshëm në transportin publik në Tiranë kanë pësuar edhe informacionet lidhur me stacionet e autobusëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *