Kryebashkiaku Erion Veliaj ka paditur insituticionin e Presidencës si dhe Prokurorin e çështjes së tij Olsi Dado. Në shkresën drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Veliaj kërkon shkarkimin e Dados si dhe pavlefshmërinë të dekretit të emërimit të tij si prokuror.
Erion Veliaj: Kërkojmë konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të Presidentit për emërimin e z.Olsi Dado në detyrën e Prokurorit të posaçëm të Republikës së Shqipërisë. Detyrimin e KLP të marrë vendim lidhur me përfundimin e statutit të magjistratit të z.Olsi Dado dhe përfundimin e menjëhershëm të ushtrimit të detyrës prej tij.
Veliaj pretendon se Dado është emëruar në kundërshtim me ligjin pasi nuk ka kryer arsimin e nevojshëm në Shkollën e Magjistraturës për të ushtruar detyrën e prokurorit.
Erion Veliaj: Nga provat e depozituara rezulton se z. Olsi Dado ka përfunduar arsimin e lartë juridik, por nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës, nuk ka ushtruar më parë funksionin e gjyqtarit apo prokurorit dhe nuk ka mbajtur asnjë nga funksionet e posaçme. Për pasojë, ai nuk ka qenë subjekt i vlefshëm ligjor për t’u emëruar në detyrën e prokurorit të Republikës së Shqipërisë.
Madje theksohet se kërkesat e prokurorit në gjykatë kundrejt kryebashkiakut Veliaj kanë sjellë pasoja të rënda për kryeqytetin.
Erion Veliaj: Të gjitha veprimet penale të kryera ndaj Erion Veliajt, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimin e ushtrimit të mandatit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, mbështeten mbi një akt emërimi ‘nul ab initio’, duke sjellë pasoja të rënda ndaj Bashkisë së Tiranës, Republikës së Shqipërisë, rendit kushtetues, institucioneve, familjes dhe personit.
Sipas padisë, Ols Dado i është propozuar Presidencës në vitin 2008 nga Prokurorja e Përgjithshme e asaj kohe, Ina Rama, ndërkohë që ai nuk plotësonte kushtet ligjore, pasi ishte vetëm noter dhe pa kryer Shkollën e Magjistraturës. Pavarësisht kësaj, Presidenca e ka dekretuar emërimin e tij si prokuror.





