Erion Veliaj vijon të heqë paralele mes procesit që SPAK ka nisur ndaj tij dhe librit procesi të Franc Kafkës, që e cilëson si pasqyrë të jetës së tij.
Veliaj: Kritikët e mi ndoshta kanë të drejtë, duhet të fokusohem më shumë te faktet se sa te “Kafka” që më mban prej dy javësh në burg me porosi të Sali fundërrinës, duke më hequr me dhunë nga punët e Tiranës dhe fushata e fitores sonë të katërt.
Kësaj radhe ai ndalet ne dëshminë dhe përballjen që pati në senacë me biznesmenin e hetuar nga SPAK, Meriman Palushi, të cilin mohoi ta njihte më parë.
Veliaj: Meriman Palushi paska marrë leje për shtëpi dykatëshe në katund. Online. Dhe qenka nën akuzë! “Ka ndihmuar aktivitete në Tiranë!”. Unë s’e njoh, ndërsa ai në më njeh, më njeh vetëm nga televizori. E shoh zotin Meriman në sallë, teksa “Kafka im” i sulej si hienë “thuaje, thuaje!”… I gjori Meriman përsëriste vetëm fjalinë “nuk e kam takuar kurrë Kryetarin e Bashkisë”. Të vërtetën thosh, po kujt ia thosh, një të devijuari nga trutë e kokës në mision për llogari të një fundërrine me emrin Sali.
Edhe kësaj radhe Veliaj nuk i ndal akuzat ndaj prokurorit Ols Dado.
Veliaj: E njeh Meriman Palushin? Jo pra, s’e njoh. E po rri brenda ndyrësirë, se kështu është kur një katundari si Merimani i jep leje për shtëpi me bahçe në Yrshek, kurse një prokurori ndërtues i bën naze për lejen e një cope pallati në mes të Tiranës.
Një ditë më parë Veliaj pretendoi se në sallën e gjyqit prokurori Dado e kishte sulmuar me fjalë fyese./vizionplus.tv





