Subscribe

Dita e sotme ishte një ditë e rëndësishme për nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët e nisën vitin e ri mësimor në shkollën e re, të transformuar dhe dy herë më të madhe se ajo që u dëmtua nga tërmeti i 2019.

 

Kryebashkiaku Erion Veliaj zgjodhi jo pa qëllim ish-shkollën e tij për të uruar nxënësit për vitin e ri shkollor. Ai nuk i fshehu emocionet e nxënësit të dikurshëm të “Sami Frashërit”, i cili u rikthye për të përuruar shkollën e rindërtuar si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

 

“Është një emocion i jashtëzakonshëm! Secili prej nesh është thirrur të shërbejë në fushën e tij, por ndonjëherë shumë prej ëndrrave që kemi, nuk arrijmë t’ua shohim fundin. Monumenti i vërtetë i ‘Samiut’ është kjo super hapësirë, një shkollë që duket si hotel me 5 yje, me auditorë, me palestër të përmasave olimpike, me bibliotekë më të mirë se shumica e shkollave tona. Por, nuk besoj se kjo është arritja e vërtetë, sepse monumenti i vërtetë që lartësohet dhe prodhohet në këtë shkollë janë Kaltri dhe Marsi [dy nxënës që përfunduan gjimnazin me nota të shkëlqyera] dhe gjithë Kaltrat e Marsat e tjerë. Puna ime, sado e madhe të duket, është në fakt e lehtë dhe e shkurtër, por puna për të ndryshuar këto 10 cm [në kokat tona] te çdo Kaltër e çdo Mars është puna e përditshme; një punë që ndoshta do shumë durim, shumë mund dhe pak pritje, derisa t’i shohim “dukun”, që t’i shohim nesër kryetarë bashkie apo kryeministra”, tha Veliaj.

 

Kryebashkiaku preku edhe vështirësinë që pati rindërtimi i shkollës “Sami Frashëri” pas ndërhyrjes dhe pengesave të politikës së ditës.

 

“Kam një mesazh për Kaltrën, Marsin dhe për çdo vajzë dhe djalë të Tiranës: Kjo shkollë ka prodhuar kryeministra, presidentë, disa kryetarë bashkish, ka prodhuar pafund ministra, personalitete, por qartazi, gjenerata jonë, edhe pse ia doli të kishte sukses, ca gjëra nuk i bëri në mënyrë perfekte. Për të ndërtuar këtë shkollë më është dashur të debatoj me kolegë, ish nxënës të ‘Samiut’, që politika i ndau në të majtë dhe në të djathtë. Unë nuk e di nëse secili prej jush do të shkojë majtas apo djathtas në politikë, por do ishte mëkat shumë i madh nëse brezi juaj do të bëjë të njëjtat gabime si ne, që kur Marsi të bëjë një punë, Kaltri t’i hidhet në fyt dhe t’i thotë: ‘Kush je ti që e bën këtë? Do bësh gradaçela në shkollën tonë dhe anasjellas!’. Nëse Kaltri do bëjë një punë, Marsi ti s’mund të jesh aty për t’i vënë stërkëmbëshin, por përkundrazi, për t’i thënë se kemi një kod që është përtej politikës së ditës dhe kodi ynë është: Kush punon, i themi bravo të qoftë! Kush ka nevojë për ndihmë, i japim një dorë! Kush ecën më shpejt, i japim kurajo! Vetëm me këtë energji pozitive mund të ndryshojmë, që brezi juaj të jetë më i mirë se brezi ynë,” tha Veliaj.

 

Në fund kryebashkiaku tha se e në shtator të gjithë ata që kundërshtuan, edhe kur bëhet fjalë për shkolla si “Sami Frashëri”, janë të ftuar në megafestën e përurimit.

 

“Në fund të muajit dua të organizojmë një aktivitet jo festiv, por pajtues. Kemi nevojë për një frymë pajtuese. Ndodhi çfarë ndodhi, bëmë gjithë ato debate, por shkolla ja ku është! Nuk është në Paskuqan, vërtet duket si një ndërtesë private apo hotel me 5 yje, por është publike. Në fund të shtatorit dua të kemi një megafestë, ku themi eja bashkohemi të gjithë. Ka më shumë gjëra që na bashkojnë, se ato që na ndajnë! Le të bëjmë një megafestë pajtimi, vëllazërie dhe dashurie ashtu siç do e donte Sami Frashëri,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *