Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj së bashku me deputetin e PS, Xhemal Qefalia u takuan me banorët e Shëngjergji. Sipas Veliajt ekonomia lokale në këtë zonë është ngritur gjatë viteve të fundit falë promovimit të agroturizmit dhe prodhimeve bujqësore.
“Më pyesin njerëzit shpesh: “Pse shkon në Shëngjergj për 600-700 vota? Pikërisht kjo është diferenca mes partisë tonë dhe të tjerëve. Ata i shohin njerëzit si numra dhe kujtohen vetëm kur vjen vakti i zgjedhjeve. Për ne njerëzit janë familje dhe në familje secili ndihmon tjetrin në rast nevoje. Ne iu jemi gjendur të gjithëve për shtëpitë pas tërmetit, pa pyetur për bindjet politike. Ne ishim te çdo nevojtar pas pandemisë, tek të gjithë ata që ishin të vetmuar, kemi shkuar shtëpi më shtëpi,”
Kryetari i bashkisë ironizoi fushatën e Partisë Demokratike, e cila sipas tij promovon modelin e një jetese të shtrenjtë.
“Shikoj palën tjetër, xhiro gomat, hip mbi makina, akoma në vitet ‘90 duke u rënë borive. Por sot nuk është kush xhiron më shumë rrotat, po kush xhiron më shumë ekonominë dhe kush prodhon më shumë mirëqënie për njerëzit. Nuk është kush bërtet më shumë, kush vjen me “Jeep”, apo “Bentley”, me “Range Rover”, “Porsche” e “Lamborghini”, – një xhiro e Lulit është sa gjithë ekonomia e Shëngjergjit, – por kush bën më shumë shkolla, kush ndihmon me një shtëpi e kush ndihmon me ushqime në këto ditë të vështira,”
Në fund, Veliaj tha se Partia Socialiste ka plot arsye për t’u ndjerë krenare, ndërsa kundërshtarët politikë, plot të tjera për t’u ndjerë të dështuar.