Shkollat e reja në Tiranë janë ndërtuar kudo me të njëjtin standard, si në qendër, ashtu edhe në periferi. Këtë fakt e vuri në dukje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë një takimi me temë arsimin, të zhvilluar në sallën “Avni Mula” të shkollës “Servete Maçi”, e cila është një prej shkollave të reja të ndërtuara në kryeqytet.

 

Vetëm në Pezë kemi ndërtuar 4 shkolla të reja, një ish komunë e cila nuk do t’i kishte bërë kurrë me taksat e saj këto shkolla. Më vjen mirë që kemi ndërtuar me të njëjtën cilësi si shkollën “Kosova” edhe shkollat në zonat më të largëta si në Zall Herr, në Dritas, i cili është fshati i fundit i Tiranës përpara se të takohet me Krujën”, u shpreh Veliaj.

 

Ai shpjegoi se shumë shpejt edhe në disa prej zonave që janë urbanizuar së fundmi, si Astiri, Sauku dhe Liqeni i Thatë, do të ndërtohen shkolla.

 

Për banorët e Saukut – edhe pse ndërtuam shkollën e re “Bashkim Fino” te Qyteti Studenti – ka ende nevojë për dy shkolla, për të cilat po kryejmë shpronësimin e dy hapësirave, një te ish-spitali i Arabit, që deri dje ishte braktisur, dhe do marrim një pjesë të oborrit të Akademisë së Policisë, ku ka qenë ish-parkingu i Policisë Ushtarake. Në njërën anë do jetë 9-vjeçarja me parashkollorin dhe në anën tjetër do të jetë gjimnazi”, tha ai.

 

Veliaj tha se e njëjta gjë do të bëhet edhe për lagjen 13.

 

“Ka edhe aty nevojë për dy shkolla. Për zonën e Liqenit të Thatë, te Kopshti Zoologjik, jo brenda Kopshtit Botanik, por në cep, ku toka është pronë shtet, do të ndërtojmë një shkollë 9-vjeçare. Kurse, gjimnazi për këtë lagje do të jetë te Parku Olimpik”, sqaroi ai.

 

Loti i fundit, tha kryebashkiaku, është loti te Astiri dhe te zgjatimi i Lanës, nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar.

 

“Aty do të kemi dy shkolla, një në Astir, dhe tjetra do të jetë te rruga e re e zgjatimit të Lanës, mes autostradës dhe Lanës, që bie në kufirin e Njësisë 7, por i shërben kryesisht zonës së lagjes 14”, njoftoi Veliaj.

 

Nga ana tjetër, ai tha se në Tiranë është fakt që janë ndërtuar 43 shkolla të reja, por ndërtimi i tyre është shoqëruar edhe me pengesa e shpifje, si në rastin e shkollës “Sami Frashëri” apo “Kosova”.

 

“Pavarësisht histerisë që ngrihet, në fund është rezultati që flet. Shkolla ‘Betim Muço’ ishte nisur të bëhej pallat. Isha te shkolla “Bedri Llagami” në Vaqarr, ku dikush kishte ndërtuar lokal m’u te dera e shkollës. Kur bëmë shkollën ‘Kosova’, pjesa e palestrës ishte legalizuar, privatizuar dhe hipotekuar. U desh të shpronësonim një cep të byrektores te oborri i shkollës. Shpresoj që ky të ketë qenë edhe një leksion për mënyrën si duam të qeverisim këtë qytet sepse çdo gjë e ka një limit”, shtoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *