Subscribe

Këto ditë po mbahet në Prishtinë forumi më i madh i biznesit “Kosova Business Forum”, ku temë kryesore është “Prishtina 2030 – Udhëheqja e rrugës drejt një kryeqyteti të së ardhmes”.

I pranishëm në ceremoninë e hapjes ishte dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Duhet ta pranojmë faktin se Tirana dhe Prishtina do të vazhdojnë të rriten, ndërsa komunat e tjera, edhe pse na vjen keq, do të vazhdojnë të tkurren. Është e pashmangshme. Kjo do të thotë se Prishtina është e destinuar të jetë motori i ekonomisë së Kosovës. Është gjëja më e thjeshtë të ulesh në shkallët e stadiumit e t’i tregosh tjetrit si bëhet goli; është gjëja më e thjeshtë të tregosh si ta shtrish tjetrin në tapet të xhudos; është gjeja më e thjeshtë të shash e të komentosh keq dikë; është më e vështirë të jesh pozitiv, më vështirë të jesh optimist, më e vështirë të jesh inkurajues; më e vështirë të jemi bashkë-aksionerë të këtij zhvillimi e këtij vizioni”, tha Veliaj.

Ndërsa Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se Prishtina merr shembull nga Tirana në shumë fusha.

“Ne po mësojmë shumë nga Tirana. Në vitin 2023 Tirana ishte “Qytetit Europian i Sportit” dhe Prishtina sivjet mban me krenari Qyteti Europian i Sportit 2024; pra, po e ndjekim hapin e Tiranës. Përgëzoj përzemërsisht mikun tim, Erionin, që na ka nderuar me prezencën e tij sot dhe ju uroj për atë arritje madhështore që ka pasur Tirana si “Qyteti Europian i Sportit” gjatë vitit që lamë pas”, tha Rama.

Përmes “Kosova Business Forum”, synohet forcimi i lidhjeve mes sektorit publik dhe atij privat, si dhe inkurajimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimi i Prishtinës si një destinacion atraktiv për investime. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *