Subscribe

Në mbledhjen e parë për vitin 2023 të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se tërmeti i para pak ditëve, tregoi edhe njëherë se vendimi për shembjen e pallatit te rr. “Myslym Keta”, i cili u shpall i pabanueshëm nga Instituti i Ndërtimit, ishte i duhuri për sigurinë e jetës së banorëve.

 

Veliaj theksoi se me jetët e njerëzve nuk duhet luajtur për 5 vota më shumë.

 

 

“E morëm vendimin se ishte i drejtë dhe i duhuri, por pa e ditur se do kishim tërmet në janar. Pyetja është: A bëhet njeriu faqezi vetëm për 5 vota? Abuzohet për çdo gjë, për një grusht votash. Kjo nuk shkon se ishte po ai grup që u thoshte atyre: “Rrini te pallati. Pallati s’ka për t’u prishur, këtu do flijoheni, kjo është vija e kuqe, ne nuk e lëmë bashkinë, ne do i rrimë para ekskavatorit”. Nuk ha debat vendimi i Institutit të Ndërtimit, që thotë ky pallat është për shembje. Po të kishim thënë e bëjmë pas vitit të ri, ose e bëjmë pas zgjedhjeve, se edhe ne na duhen ato 5 vota, sot do ishim përpara një tjetër përgjegjësie dhe s’do ishim këtu për të bërë këtë takim. Kështu që ftesa, duke qenë se janë 100 ditë deri në zgjedhje dhe do dëgjojmë lloj-lloj çudirash, që pranohen në zgjedhje se ndodhin kudo në botë, por çdo gjë me masë. Kur diskutohet te jeta e njeriut, po foli inxhinieri, nuk flasin më politikanët. Kur diskutohet jeta e njeriut, po foli vaksinatorja, ose epidemiologu, nuk flasim më ne të tjerët, ne thjesht zbatojmë ato që janë vendime të shkencës dhe vendime të njerëzve që janë të licensuar për këto vendime. Ne jemi vetëm aty për të zbatuar vendimet e dikujt që na ka thënë që ky pallat s’mban, njerëzit duhen vaksinuar, apo ky qytet duhet të shkojë në karantinë, sipas vendimmarrjeve që kemi marrë kur shkenca dhe njerëzit e përgjegjshëm, jo të papërgjegjshëm, na kanë informuar për vendimmarrjet tona”, u shpreh Veliaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *