Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në forumin për ndryshimet klimatike, i cili bëri bashkë përfaqësues nga rrjeti i qyteteve B40. Në qendër të diskutimeve ishin aksionet klimatike të ndërmarra nga qytetet, ndërsa u hodhën propozime që mund të përfshijnë të gjithë rrjetin.

“Kur transformimet ndodhin shumë shpejt ka disa njerëz që i duartrokasin, thonë: ‘Shumë mirë, të mbajmë ritmin’. Ka disa njerëz që, si themi ne, ‘i zë makina’, kanë një lloj nauze nga zhvillimet e shpejta dhe thonë: ‘I duam gjërat siç ishin’. Por, detyra e atyre që merren me politikë dhe zgjidhen me votë është të marrin vendime. Ka vendime që janë urgjente, kur vjen puna për të mbjellë pemë, për të pasur hapësira pedonale, për të mitiguar problemet që sjell erozioni, stuhitë ‘flash’, apo temperaturat e larta”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku pohoi se po punohet edhe për projektin që pritet të finalizojë ndërtimin e disa shtigjeve të gjelbra, që do të lidhë dy parqet qendrore me njeri-tjetrin.

 “Me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim do të bëjmë edhe disa shtigje të gjelbra, që i lidhin dy parqet qendrore të qytetit me njëra-tjetrën. Pyetja është: Kush e ka detyrën t’i bëjë këto punë? Përgjigjja është: Patjetër bashkia! Bashkia do investohet edhe për Lumin e Tiranës, që të sigurohet se nuk përmbyt më, dhe në 6 vitet e fundit, pasi punuam 2 vjet, përmbytjet nga Lumi i Tiranës janë një histori që i kemi harruar. Por, për disa punë të tjera, na ndihmojnë edhe qytetarët, si në rastin e mbjelljes së pemëve”, tha Veliaj.

Veliaj u ndal edhe te transformimi ekonomik i Tiranës në dekadën e fundit. Ai u shpreh se para 8 vitesh, Tirana kishte 25% të produktit tekstil dhe 25% këpucë, ndërsa sot kjo përqindje ndahet në turizëm dhe punë digjitale. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *