Subscribe

Transformimi i shërbimit të transportit publik në këto tetë vite falë bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe operatorëve private, që operojnë në linjat kryeqytetase, ishte fokusi i diskutimit të kryebashkiakut Erion Veliaj me përfaqësuesit e shoqatës së transportit. Veliaj njoftoi se Bashkia e Tiranës po harton një plan 5-vjeçar për transformimin e mëtejshëm të këtij sektori mjaft të rëndësishëm shërbimi për qytetarët, e për këtë qëllim po zhvillohen edhe dëgjesa me të gjithë operatorët që operojnë në këtë fushë.

 

Ai kujtoi se Tiranës i janë shtuar 3 linja të reja, të cilat kanë dyfishuar mbulimin me shërbim urban, teksa theksoi disa fakte dhe shifra që tregojnë përmirësimin e shërbimit.

 

“Disa gjëra janë bërë mirë dhe këtu merita nuk i takon për kompanive të transportit apo Bashkisë së Tiranës, por është një meritë e përbashkët. Në Tiranë janë shtuar tre linja të reja, që nuk i kemi pasur më parë, kemi shkuar në 375 km mbulim, nga 169 km që kishim; do thotë se shërbimi ofrohet dyfish në numër kilometrash dhe itinerarësh që përshkojnë qytetin e Tiranës. Ndoshta, për dikë që është rritur në Tiranë dhe bën vetëm një punë rutinore, pra përdor vetëm një linjë, ta zëmë Kinostudio-Kombinat, nuk e ndjen shume ndryshimin, por me Tiranën metropolitane, numri i kilometrave është më shumë se dyfishuar. Linjat rrethqytetase kemi pasur vetëm 8, sot janë dyfishuar: Kemi 17 linja ndërqytetase. Ideja ka qenë të bëjmë një kohezion më të madh mes Tiranës rurale dhe Tiranës urbane,” u shpreh kryebashkiaku.

 

Ka ende në vitin 2023 njerëz që u thonë “të ardhur” atyre që vijnë nga rrethet – tha Veliaj – por rritja e Tiranës është e pashmangshme dhe si pasojë, edhe përshtatja e këtij shërbimi utilitar është i tillë.

 

Veliaj vuri në dukje punën e bërë nga kompanitë e transportit, të cilat kanë shtuar flotën e mjeteve, duke rritur cilësinë e shërbimit për qytetarët që e përdorin atë.

 

“Vetëm në linjat ndërqytetase kemi kaluar nga 55 mjete në 110 mjete. Pra, dyfishim. Meritën më të madhe e ka jo vetëm bashkia që vë rregulla, por edhe ai që ka marrë riskun dhe ka blerë mjete. Falë këtij risku dhe kësaj sipërmarrjeje është bërë jetesa më e lehtë. Nga 55 në 110 mjete për të sjellë dhe marrë në Tiranë, sidomos në kohën e pikut, kur një pjesë e fuqisë punëtore për Tiranën urbane vjen ose nga Tirana rurale, ose nga ana tjetër e lumit, që është Kamza, Vora, Fushë-Kruja, ndonjëherë edhe nga Durrësi, duke përdorur edhe linjat klasike, ndaj kjo është edhe merita juaj,” tha Veliaj, duke nënvizuar se kjo ka sjellë uljen e kohës së pritjes së qytetarëve në stacion nga 37 minuta që ishte më parë, sot mesatarja është 7 minuta.

 

“Është ende larg, nuk është akoma aty ku duhet të jetë, megjithatë është prapë dita me natën nga çka ka qene, nga 37 minuta në 7 minuta”, theksoi Veliaj.

 

Ai shtoi se synimi është që koha e pritjes të shkojë në 3 minuta për të gjitha linjat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *