Subscribe

Uji është një e mirë publike, që në periudha krizash kujdesi në përdorim vlerësohet nga kryebashkiaku i Tiranës Veliaj si prioritet. Kryeadministratori i bashkisë më të madhe në vend, gjatë fillimit të punimeve për ndërtimin e 22 rrugëve në Shkozë, ripërsëriti apelin drejtuar qytetarëve.

 

“Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, jemi akoma në situatë krize, ju lutem kurseni ujin e pijshëm. Nëse përdoret në mënyrë të panevojshme, praktikisht kemi lënë pa ujë dikë tjetër në një cep tjetër të Tiranës. Ndaj të jemi ende vigjilentë. Shumë njerëz e harrojnë që uji që del nga çezma apo nga shërbimet higjieno-sanitare në shtëpi, duhet të derdhet diku. Kështu, për herë të parë në këtë zonë po bëjmë edhe kanalizimet. Nga një zonë ku kanalizimet më përpara derdheshin në rrugë, sot kemi marrë përsipër edhe këto investime.”

 

Por stina e verës nuk sjell emergjencë vetëm në furnizimin me ujë. Vëmendje e veçantë duhet treguar edhe ndaj zjarreve.

 

“Zjarrfikësit tanë po bëjnë një punë heroike, ama nga ana tjetër, burimet tona janë të kufizuara. Nëse për të liruar 20m2 tokë për bahçe, dikush djeg 24 hektarë pyll, bën një dëm të jashtëzakonshëm. Ndaj i lutem të gjithëve të tregojnë kujdes, të telefonojnë 112 nëse ka probleme me zjarrin. Shteti sigurisht që duhet të mbajë përgjegjësitë e veta, por shteti nuk mund të jetë kudo i pranishëm nëse qytetarët vetë dëmtojnë pronën publike ose nuk tregojnë gatishmëri në rast rreziku dhe nevoje.”

 

Investimi në këtë pjesë të Shkozës, ku mbizotërojnë ndërtime të realizuara pas viteve ’90, parashikon sistemimin e rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve, trotuare, shtresa asfalti, ndriçimin si dhe pajisjen me të gjithë sinjalistikën e nevojshme duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës për banorët.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *