Subscribe

Rikonstruksioni i shkollës “Dëshmorët e Lirisë”, në njësinë 5 në Tiranë është drejt fundit. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, i cili inspektoi punimet u shpreh se çdo shkollë do të jetë gati për nisjen e viti të ri arsimor.

 

Erion Veliaj: “Kemi premtuar se çdo shkollë ku po punojmë do të jetë gati, ndaj skuadrat po punojnë deri në 17 shtator. Jemi në shkollën “Dëshmorët e Lirisë”, ku ka ende pak punë për të mbyllur terrenin sportiv, ndërkohë që ka mbaruar auditori, kanë mbaruar punimet e brendshme, banjot e reja, veshja me kapotë, të gjitha klasat, plus klasa parashkollore, e cila do të jetë e pranishme në shumicën e shkollave të Tiranës, si një klasë më vete që parapërgatit fëmijët që do të nisin klasën e parë”.

 

Veliaj tha se në njësinë 5 do të ndërtohen edhe 3 shkolla të reja.

 

Ai u shpreh se krahas investimeve që po kryhen këtë vit, Njësia 5 do të përfitojë edhe nga ndërtimi i 3 shkollave të reja. “Kjo shkollë, si shumë shkolla të Njësisë 5, kanë përballuar një “tsunami” të vërtetë demografik. Pra, popullsi që rritet, kryesisht çifte të reja, që vijnë e lakmojnë zonën e Njësisë 5, por Njësia 5 sot është me të drejtë qyteti i dytë në Shqipëri, pas Tiranës; do të thotë që, edhe nevojat janë rritur, ndaj po bëjmë dy veprime: së pari, rregullim total të të gjitha shkollave ekzistuese dhe më pas do të ndërtojmë 3 shkolla të reja. E para do të jetë tek Parku Olimpik, për të shfryrë një pjesë të mirë që vjen nga zona e Kopshtit Zoologjik, Kopshtit Botanik dhe Liqenit të Thatë. Pra, lirojmë shkollat “At Zef Pllumbi”, “Dëshmorët e Lirisë”, “Petro Nini Luarasi”, që secili të ketë një shkollë brenda një rreze ku edhe fëmijët mund të ecin, pra 500-1000 metra, çka do e bënte shumë më normal procesin mësimor”, tha Veliaj.

 

Kryebashkiaku Veliaj, u ka bërë thirrje drejtorëve të shkollave që të respektojnë kuotat dhe të mos bëjnë regjistrim të nxënësve që vinë nga zona të tjera.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *