Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u takua këtë të hënë me ekselentë të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, me të cilët ndau lajmin se projekti për rikonstruksionin e shkollës së tyre do të nisë këtë vit, pasi të mbyllen kantieret e hapura për shkollat 9- vjeçare. Ai shtoi se dizenjimi i shkollës së re do të përfshijë edhe një auditor, si pjesë e paketës për rikonstruksionin e objekteve arsimore në kryeqytet.
“Ne na duhet të mbyllim njëherë shkollat që kemi: sapo kemi mbyllur kantieret te “26 Nëntori”, te “Emin Duraku” po mbyllet tani. Pra, duam të mbyllim 9-vjeçaret, që këtë vit të fillojmë projektin për “Petro Ninin” dhe të fusim buxhetin për shkollën e re. Tek shkolla e re do të kemi një auditorium, madje e kemi kthyer në praktikë në çdo shkollë të re që bëjmë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku informoi po ashtu se gjimnazi “Dritëro Agolli” do i shtohet zonës tek Parku Olimpik, duke çliruar në këtë mënyrë edhe fluksin te “Petro Nini”.
“Ne i gjetëm pishinat e zaptuara prej 20 vitesh dhe çlirimi i tyre ishte një sukses. Tani do fillojmë edhe rikonstruksionin e pishinës te Parku Olimpik, duke qenë se ambientet e basketboll-volejbollit i kemi shumë herë më cilësore se sa ambientet e pishinave që morëm së fundmi. Këtë vit kemi futur buxhet edhe për pishina olimpike, për t’u siguruar që aty kemi një standard në not. Gjimnazi “Dritëro Agolli” do të jetë pranë Parkut Olimpik, në xhepin mes pallateve, çka do çlirojë nga fluksi “Petro Ninin”, tha kryebashkiaku.
Kryebashkaku i Tiranes premtoi shtimin e investimeve ne infrastrukturen arsimore.




