Toto Rina, i konsideruar si bosi i bosëve u nda nga jeta në orët e para të mëngjesit të kësaj te premteje në moshën 87 vjeçare.

 

Salvatore Riina, ish-shefi i “Cosa Nostras” vdiq nga kanceri në repartin e të burgosurve në spitalin e Parmës, pas 2 operacioneve të vështira që e lanë në koma për më shumë se dy javë.

 

Riina po vuante 26 dënime me burgim të përjetshëm dhe besohet se ka urdhëruar më shumë se 150 vrasje, mes të cilave edhe policë, gjykatës e prokurorë.

 

Kumbari i mafias siciliane nuk është penduar asnjëherë, ai ka drejtuar “cosa nostran” nga viti 1982 deri ne vitin 1993 kur u arrestua nga autoritetet italiane. Edhe në burg ai ka vazhduar të ruajë lidhjet me mafian e të drejtojë operacionet, ndërsa ka vazhduar të kërcënojë prokurorët e të mburret me vrasjet që ka urdhëruar.

 

Në vitin 1992 dy gjykatës antimafia, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, u vranë në betejën e Toto Riinës kundër shtetit dhe sipas analistëve, ishin pikërisht këto dy vrasje që shënuan fundin e bosit dhe perandorisë së tij mafioze.

 

Riina u shpall fajtor edhe si urdhëruesi i një serie vrasjesh dhe sulmesh me bomba në Romë, Milano dhe Firence në vitin 1993.

 

Në vitin 2009, ai theu kodin e ‘omerta-s’, një betim heshtjeje, duke pranuar lidhjet e tij me mafian. Ndërkaq, edhe djali më i madh i Riina-s vuan një dënim të përjetshëm në burg për 4 vrasje.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *