Mohamed Faris, siriani i parë që shkoi në hapësirë ​​me sovjetikët, ka vdekur në moshën 72-vjeçare, njoftoi dje miku i tij i ngushtë. Një muaj më parë ai kishte pësuar një atak në zemër.

Ai dha frymën e fundit në qytetin turk Gaziantep, ku jetonte në mërgim që nga viti 2012. Në vitin 1987, Faris u bë hero kombëtar në Siri, si i pari nga vendlindja e tij që arriti në hapësirë ​​me sovjetikët. Pastaj u bë refugjat. Ai dezertoi në Turqi ndërsa vendosi t’i bashkohej revolucionit kundër të njëjtës qeveri të Asadit të cilës i shërbente.

Ai ka qenë një pilot luftarak, një kozmonaut, një këshilltar ushtarak i qeverive të Asadit, një protestues, një rebel dhe një dezertor, siç raportohet nga rrjeti amerikan.

Në Siri, një shkollë, aeroport dhe rrugë janë emëruar me emrin e tij. Ai vetë, si refugjat politik në Turqi, revolucionin e bëri me fjalën e tij, jo me armë. Faris është i pari nga Siria që shkoi në hapësirë. Ai qëndroi në hapësirë ​​për gati 8 ditë. Konkretisht për shtatë ditë, 23 orë e 5 minuta që i ndryshuan jetën, siç kishte deklaruar.

“Kur e shihni planetin tonë nga Hapësira, nuk jemi më ne dhe ata, nuk ka politikë”, kishte theksuar ai pas kthimit në Siri.

Ai vinte nga një familje e varfër dhe kishte mbaruar Akademinë e Forcave Ajrore vetëm dy vjet përpara se të zgjidhej si kozmonaut.

Ai i kishte kërkuar presidentit të atëhershëm të Sirisë që të themelonte një institut kombëtar hapësinor në vend, por përgjigja ishte negative.

“Hafez Assad, babai i Bashar al-Asadit, donte t’i mbante njerëzit të pashkolluar dhe të ndarë, me mirëkuptim të kufizuar. Kështu qëndrojnë në pushtet diktatorët. Edhe mendimi për t’u dhënë njerëzve njohurinë që një institut hapësinor do t’u jepte atyre konsiderohet i rrezikshëm”, kishte argumentuar ai.

Qeveria më pas caktoi Farisin për të trajnuar pilotët e rinj. Në vitin 2000, kur Hafez Assad vdiq dhe u pasua nga djali i tij Bashar, Faris ishte ndër të parët që e takoi atë.

“Ashtu si babai i tij, Bashar ishte një armik i shoqërisë,” tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *