Vazhdon të rritet numri i viktimave nga zjarret në Kaliforni

Kalifornia vazhdon të jetë në gjendje të jashtëzakonshme pas zjarrit më shkatërrues në historinë e saj, ndërsa numri i viktimave ka shkuar në të paktën 23. Autoritetet kanë dhënë alarmin për shkak se më shumë se 110 persona rezultojnë të zhdukur.
“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të identifikuar viktimat dhe për të gjetur të humburit”, tha sherifi i qarkut, ndërsa njoftoi dërgimin e ekipeve shtesë të kërkim shpëtimit për të bërë sa më shpejtë të mundur gjetjen e viktimave të tjera që dyshohet se kanë humbur jetën në shtëpitë e shkrumbuara. Më shumë se 6.700 ndërtesa janë shkrumbuar.
Pothuajse i gjithë qyteti i “parajsës” është shkrumbuar, ndërsa mijëra zjarrfikës po vazhdojnë ende luftën me 3 vatrat masive në të dyja anët e shtetit.
70 mijë hektarë sipërfaqe toke në Malibu janë shkrumbuar si pasojë e zjarrit gjigant.
E ndërsa flakët vazhdojnë të përpijnë çfarë gjejnë para, më shumë se 250 mijë njerëz janë evakuuar nga zona e rrezikut.
Malibu duket si një fushëbeteje mes zjarrfikësve dhe vatrave të mëdha të zjarrit. Era e fortë dhe mungesa e lagështirës në ajër, duket se po ushqejnë edhe më shumë zjarret.
Pjesa më e madhe e Kalifornisë Veriore është nën një paralajmërim të flamurit të kuq, që do të thotë se situate mund te përkeqësohet edhe me tej.




