Kreu i bashkisë së Tiranës vizitoi një nga familjet me te dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit ne fshatin Vishnje. Teksa inspektoi punimet për rindërtimin e banesës theksoi Erion Veliaj se shtëpia e familjes së Rifat Agës do të përfundojë për festat e nëntorit .
Erion Veliaj: “Jemi në shtëpinë e Rifatit, me një nga miqtë e mi më të mirë, Avenir Kikën, drejtor i Shoqatës së Ndërtuesve, e cila është kontribuuesja kryesore në taksat dhe arkën e Bashkisë së Tiranës, që nuk i ka asnjë detyrim shtetit, që i paguan një më një kontributet, e megjithatë, Aveniri vendosi që të ndihmojë Rifatin. Jam jashtëzakonisht krenar për Tiranën dhe për mënyrën sesi në kohë rekord, solidariteti ka qenë maksimal. Fakti që pa u bërë muaji kemi filluar rindërtimin e shtëpive, jemi mbi themele, kemi bërë konstruksionin dhe jemi gati të vëmë muret edhe ndarjen, që datat 28-29 nëntor të na gjejnë në shtëpinë e re, është një histori suksesi e solidaritetit të Tiranës. Rifat, mezi pres që të vij herën e tretë për vizitë, e treta e vërteta, kur të jetë mbaruar shtëpia”.
Ndërkohë Kreu i Shoqatës së Ndërtuesve, Avenir Kika theksoi se ne raste të fatkeqësive natyrore , çdo biznes duhet te solidarizohet me te dëmtuarit.
Avenir Kika: “Ne iu përgjigjëm thirrjes së kryetarit për të ardhur me urgjencë në një nga shtëpitë më të dëmtuara nga tërmeti, që thuajse ishte rrafshuar. Bashkia është shtëpia jonë e përbashkët, por mbi të gjitha dua t’u them ndërtuesve, kolegëve të mi, unë si kryetar e dhashë shembullin i pari, sepse vetëm kështu do ta ndihmojmë bashkinë, po kështu do ndihmojmë edhe qytetarët e qytetit të Tiranës”
Kryebashkiaku Veliaj siguroi se edhe ato familje qe pësuan dëmtime te pjesshme nga lëkundjet e tërmetit do te dëmshpërblehen.





