Vasili: Reforma zgjedhore pa opozitën është nul, do thellonte krizën politike

Nëse reforma zgjedhore do të kalojë në Parlament pa miratimin e opozitës jashtëparlamentare, Petrit Vasili deklaroi se kjo do të thellonte krizën politike.
Nënkryetari i LSI u shpreh në rrjetet sociale se një reformë zgjedhore pa konsensusin e PD-LSI do të ishte nul.
Sipas tij, mazhoranca duhet t’u japë fund zvarritjeve dhe të pranojë propozimet e opozitës.
“Reforma Zgjedhore pa opozitën është nul. Do thellonte në ekstrem krizën politike dhe sociale. Do të ishte një kthim akoma më mbrapa në një krizë politike, që ka përparuar dhe do ishte një përgjegjësi direkt e mazhorancës, që do të përballej me konsekuenca teper te renda në planin e brendshëm dhe në planin ndërkombëtar. Çdo tendencë nga ana e mazhorancës me gojën e Gjiknurit për të akumuluar çështje që zënë përfund njëra-tjetrën dhe qe nuk marrin zgjidhje është në funksion të asaj strategjie për të shkuar drejt një miratimi provokativ, në mënyrë të njëanshme, me anën e forces së kartonit, që bie totalisht ndesh me kushtin përkatës për çështjen e hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Deri më tani ka një pengesë në arritjen e kohës, që është një vullnet tërësisht i munguar i mazhorancës, e cila duhet të heqë dorë nga skenari i miratimit në mënyrë të njëanshme të reformës.”
Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi këtë të hënë se reforma zgjedhore do të jetë gati brenda majit.
“Puna do të vijojë aty ku e kishim lënë. Nuk mund t’i kthehemi gjërave nga e para. Për të gjitha gjërat që nuk biem dakord do t’i drejtohemi OSBE/ ODIHR. Do të bëjmë çmos për konsensus. Puna më e madhe tani u takon ekpertëve.”, tha Gjiknuri.




