Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili akuzoi kryeministrin Edi Rama se i ka shitur detin Greqisë. Përmes një postimi në “Facebook”, ai renditi disa pyetje, për të cilat kërkon përgjigje nga kreu i qeverisë.

“Ajo që pritej dhe që ne e paralajmëruam qartë gjatë verës së këtij viti ndodhi dhe Rama e shiti detin e Shqipërisë. Pyetjet e detyrueshme për përgjigje ndaj të gjithë shqiptarëve janë:
1.Negociatat e filluara për kufirin detar me Greqinë a perfunduan?
2.Nëse negociatat janë ndërprerë, cilat janë arsyet parimore të pazgjidhshme?
3.A ka qenë vendimi i Gjykatës Kushtetuese linja udhëheqëse e qëndrimit në negociatat për marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë?
4.A ka pasur pala greke gjatë negociatave temë të diskutimit zgjerimin me 12 milje.
5.Pas deklarimeve të Greqisë për zgjerimin me 12 milje në verën e këtij viti a u mblodh grupi negociator shqiptar për të përcaktuar qëndrimin dhe vendimin lidhur me vazhdimin e negociatave?
I gjithë qëndrimi dhe veprimi i Edi Ramës si kryeministër ka qenë qartazi një veprim që tradhtonte interesat e vendit dhe strategjia e mungesës absolute të trasparencës, pasiviteti e mosveprimi i qëllimshëm i tij i ka minuar shumë rëndë si askush tjetër interesat e vendit.”

Petrit Vasili kërkoi hetimin e Edi Ramës për këtë çështje.

“Zbulimi, hetimi dhe dënimi i kësaj tradhtie është një detyrim shtetëror kushtetues si dhe do të ishte një mësim historik për këdo, që do të guxonte të prekte qoftë edhe një thërrime interesat e Shqipërisë.”

Një ditë më parë, Këshilli i Lartë i Shtetit të Greqisë miratoi dekretin presidencial për zgjerimin e ujërave territoriale në detin Jon nga 6 deri në 12 milje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *