Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili tha se qeveria mori një goditje shumë të fortë nga Këshilli i Evropës, që çoi në Komisionin e Venecias paketën antishpifje. Përmes një postimi në “Facebook”, Vasili deklaroi se KiE mori këtë vendim pasi Rama po sillet si diktaktor.

 

“Shqipëria është damkosur për shkak të Edi Ramës dhe Ri-lindjes, si një vend që qeveriset nga një autokraci e sponsorizuar nga krimi, korrupsioni dhe trafiqet. Goditja më e fundit shumë e rëndë e Këshillit të Europës, i cili ka çuar për interpretim Komisionit të Venecias, Paketën Anti-Shpifje, është një goditje që nuk ka ndodhur kurrë më parë dhe një qëndrim që mbahet vetëm ndaj diktatorëve.”

 

Sipas Vasilit, kjo është hera e dytë që qeveria socialiste goditet nga Këshilli i Evropës. Ai shtoi se gjithë këtë Rama po e bën për të luftuar të vërtetën.

 

“Edi Rama dhe qeveria e tij, si peng i spirales se krimit dhe korrupsionit kanë sot vetëm një mision, që të mbyllin gojën, të mbyllin të gjitha mundësitë e komunikimit me-diatik, që të vërtetat e skandaleve të tyre të mos njihen nga shqiptarët. Sulmi i tyre ndaj fjalës së lirë, është sot thjesht dhe vetëm luftë ndaj së vërtetës.”

 

Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës kërkoi të mërkurën një opinion nga Komisioni i Venecias për të parë nëse ligji antishpifje shkel të drejtat themelore apo jo. Ekspertët e Komisionit të Venecias pritet ta shqyrtojnë në shkurt kërkesën dhe të shprehen në mars.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *