Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi deklaroi se Shqipëria është shumë pranë hapjes së negociatave. Duke folur nga salla e parlamentit në vendin tonë, Varhelyi garantoi mbështetje për Shqipërinë deri në fund.

 

“Dëshiroj që të përçoj një mesazh të qartë që do ta sjellim këto ditë në Ballkanin Perëndimor. Ne do ju qëndrojmë pranë, jemi me ju e do jemi me ju, do punojmë fort që të jeni shtete anëtare të BE. Ballkani Perëndimor ka qenë përparësi për këtë komision. Që prej ditës së parë që filluam punë kemi qenë të angazhuar për të sjellë rezultatet. E ardhmja e gjithë rajonit është në BE dhe interesi jonë strategjik është t’ju sjellim më afër. Ne jemi në atë moment kyç, në atë moment që Shqipëria ndodhet më pranë se kurrë BE-së. Kontributi juaj është kyç dhe me vendosmëri për të ardhmen, le ta marrim atë hap tjetër për të ardhmen e Shqipërisë.”

 

Ai vlerësoi progresin e arritur deri tani nga vendi ynë. Ai e ndali theksin veçanërisht tek ringritja e Gjykatës Kushtetuese.

 

“Përgëzoj institucionet e vettingut dhe ONM. Janë hapur proceset për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Është përfunduar krijimi i trupave të reja. Reforma zgjedhore është kusht për konferencën e parë ndërqeveritare. Vijimësia e këtyre reformave nga ana e Shqipërisë do jetë e rëndësishme për kuadrin negociues. Institucionet duhet të punojnë me njeri-tjetrin.”

 

Oliver Varhelyi vizitoi sot Shqipërinë, pas progres-raportit të publikuar dje nga Komisioni Evropian. Në raportin e progresit, KE kërkoi që të mbahet Konferenca e parë Ndërqeveritare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *