Subscribe

 Vangjush Dako, ish- kryetari i Bashkisë së Durrësit, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme për shpërdorim detyre në bashkëpunim në dy raste.

 

SPAK thotë se momenti i parë që Vangjush Dako ka abuzuar me postin e kryetarit ka të bëjë me dhënien e një lejeje për ndërtimin e një pallati shumëkatësh në vitin 2014, dy vjet pasi ai ishte ngritur.

 

SPAK: Janë hartuar në mënyrë fiktive të gjithë dokumentet, që përpilohen dhe administrohen nga subjekti ndërtues dhe zyrtarët e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Territorit, duke hartuar dokumentet përkatëse për të gjitha fazat në të cilat ndodhej ndërtimi, ndërkohë që është provuar me prova si pyetje e dëshmitarëve dhe ekspertimi përkatës, që ndërtimi i pallatit kishte përfunduar që në vitin 2012 dhe ishte i banueshëm.

 

Rasti i dytë që çoi në prangosjen me 6 qershor 2023 e përfundimisht në marrjen si të pandehur të ish- kryetarit të bashkisë së dytë më të madhe në vend, lidhet me procedurat e prokurimit të shëtitores së Durrësit nga Bërryli në Currila në vitin 2014.

 

Për të, SPAK thotë  se bashkia kishte një fond limit prej 21 milionë lekësh. Ndonëse, Kontrolli i Lartë i Shtetit, i bëri të ditur Bashkisë Durrës në vitin 2015 se ishte bërë një gabim në përllogaritjen e shumës që Komisioni Kontraktor kishte bërë, në mënyrë që të rikuperohej dëmi ekonomik, faturat vijuan të paguhen.

 

SPAK: Kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako, ka nxjerrë urdhrin e prokurimit pikërisht me vlerën e llogaritur nga Komisioni. Vlera e paguar më tepër është rreth 18.3 milionë lekë dhe është pasqyruar në pasqyrat financiare si një dëm ekonomik dhe detyrim, që shoqëria përfituese i ka kësaj Bashkie prej vitit 2016 e në vijim.

 

Së bashku me të, SPAK mbylli hetimet dhe njëkohësisht mori të pandehur edhe 10 persona të tjerë me detyrë specialist, inxhinier dhe administratorin e kompanisë, Fiqiri Farruku, i cili me datë 4 la qelinë për të vijuar masën e arrestit në shtëpi. Ata akuzohen për falsifikim dokumentesh e shpërdorim detyre.

 

Nëse Vangjush Dako shpallet fajtor, ai rrezikon dënimin deri me 7 vjet burg./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *