Kryetari “Partisë për të Drejtat e Njeriut”, Vangjel Dule, ka denoncuar parregullsitë me të cilat po shoqërohet sipas tij procesi i censusit.

 

Duke iu referuar të dhënave të mbledhura nga aktivistët e partisë që ai drejton, Dule ka theksuar se regjistruesit nuk zbatojnë ligjin në lidhje me pyetjet që kanë të bëjnë me fenë, etninë, gjuhën amtare.

 

 

VANGJEL DULE

KRYETAR I PBDNJ

“Kemi raste të denoncuar në Tiranë, Korçë, Sarandë dhe gjetkë, ku nuk u drejtohen qytetarëve pyetjet për përkatësinë etnike, gjuhën amtare dhe besimin fetar. Në një kohë që qytetarët kërkojnë të deklarojnë edhe këto elemente u thuhet se janë fakultative.”

 

Dule ka përmendur edhe raste konkrete.

 

 

“Një biznesmen në Sarandë, në mënyrë të përsëritur u pyet 3 herë nëse ishte i sigurt se ishte minoritar grek, sepse kishte prona dhe pasuri.”

 

Ndërsa në lidhje me çështjen e kryetarit të zgjedhur të bashkisë Himarë, Dule theksoi se Fredi Beleri do të mbajë detyrën për 4 vitet e ardhshme.

 

“Nga momenti që z.Beleri për asnjë çast nuk ka refuzuar që të bëjë betimin, nuk ka asnjë dispozitë ligjore, që e çon procedurën në përfundim mandati. Z. Beleri është kryetari i zgjedhur i Bashkisë dhe si i tillë do ta drejtojë atë dhe mandati i tij përfundon si i gjithë kryebashkiakëve të tjerë në vitin 2027.”

 

Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit me akuzën e blerjes së votave dhe ndaj tij u vendos masa e sigurisë burg pa afat, një masë që e ka penguar atë të betohet e të marrë detyrën në krye të bashkisë Himarë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *