Në ditën e tretë të luftimeve Izraeli ka urdhëruar rrethimin e plotë të rripit të Gazës duke bërë të ditur se autoritetet do të ndërpresin energjinë elektrike si dhe do të ndalojë futjen e ujit, ushqimeve dhe karburantit.

 

Izraeli kontrollon hapësirën ajrore mbi Gaza dhe vijën bregdetare të saj, si dhe kufizon se kush dhe çfarë mallrash lejohen të futen brenda pikave kufitare dhe të dalin jashtë tyre. Në mënyrë të ngjashme nga ana tjetër e kufirit, kontrollin e ka Egjipti.

 

Ky vendim i autoriteteve izraelite vjen si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të befasishme të Hamasit. Që prej të shtunës kur ky i fundit nisi bombardimet, luftimet e ashpra po vijojnë nga të dyja palët.

 

Numri i viktimave i ka kaluar 1300, ndërsa mbi 5000 mijë kanë mbetur të plagosur pjesa më e madhe e të cilëve janë civilë, përfshirë edhe shtetas të huaj.

 

Ndërkohë mbi 100 izraelitë, qytetarë të thjeshtë dhe ushtarë po mbahen peng nga Hamasi në rripin e Gazës.

 

Ndërsa Izraeli ka shpallur gjendjen e luftës, vendet e tjera janë mobilizuar të tërheqin shtetasit e tyre. Një natë më parë, mbërriti edhe në Shqipëri avioni i parë me qytetarë që u larguan nga Tel Avivi, mes tyre edhe shtetas nga Kosova.

 

Po ashtu shtete të tjera kanë paralajmëruar qytetarët e tyre dhe disa kompani ajrore kanë pezulluar fluturimet me kryeqytetin izraelit.

 

Sulmet e armatosura në Izrael konsiderohen më vdekjeprurëset ndaj hebrenjve që nga viti 1973. “Ky është 11 shtatori ynë. Ata na kapën në befasi” është shprehur një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes Izraelite.

 

Vendet perëndimore si Shtetet e Bashkuara, Britania e madhe, Franca, Gjermania dhe të tjerë janë pozicionuar krah izraelit, ndërsa në mbështetje të Hamasit janë Afrika e Jugut, Katari dhe Irani megjithëse ky i fundit ka mohuar përfshirjen e tij në konflikt.

 

“Shtetet e Bashkuara po dërgojnë anije dhe avionë ushtarakë më pranë Izraelit në Mesdheun Lindor në një demonstrim mbështetjeje pas sulmit të Hamasit”, – tha Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

 

Turqia, Rusia dhe Kina kanë qenë më neutrale në reagimet e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *