Presidenti i Bolivisë, Evo Morales ka thënë të dielën se do të japë dorëheqje për të ndalur dhunën që ka përfshirë kombin e Amerikës Jugore, prej mbajtjes së zgjedhjeve të kontestueshme.

Ai ka thënë se është viktimë e një “puçi” dhe se përballet me arrestim.

Në disa xhirime janë parë përleshjet në rrugët e kryeqytetit La Paz, si dhe disa ndërtesa të përfshira nga flakët, pas ushtria i ka kërkuar Moralesit që japë dorëheqje.

Morales, që ka qenë në pushtet për gati 14 vjet, ka thënë në disa komente televizive se ai do të dorëzojë letrën e dorëheqjes me synim të kthimit të stabilitetit.

“Unë po jap dorëheqje duke dërguar letrën e largimit në Asamblenë Legjislative”, ka thënë Morales, duke shtuar se është “obligimi i tij si president i të gjithë banorëve të Bolivisë që të arrijë paqe”.

Megjithatë, ai ka rritur tensionet kur përmes një postimi në rrjetin social, Twitter ka thënë se policia ka nisur një kërkesë “të paligjshme” për ta arrestuar dhe se “grupe të dhunshme” kanë sulmuar shtëpinë e tij.

Më vonë komandanti i forcave policore të Bolivisë, ka thënë në një intervistë televizive se nuk ka kërkesë për arrestim të Moralesit.

Largimi i tij, një ikonë e së majtës ka shokuar rajonin, në kohën kur liderët e së majtës janë kthyer në pushtet në Meksikë dhe Argjentinë.

Presidenti i Venezueles, Nicolas Maduro dhe ai i Argjentinës, Alberto Fernandez, i kanë konsideruar ngjarjet në Bolivi si “grushtshtet”.

Ministri i Jashtëm meksikan, Marcelo Ebrard, ka thënë se shteti i tij do t’i ofrojë Moralesit azil nëse ka nevojë.

Morales ka qenë në pushtet nga viti 2006. Në një referendum të mbajtur më 2016, banorët e Bolivisë kanë refuzuar propozimin e tij për të larguar kufizimet e mandatit presidencial.

Atij i është dashur të fitojë leje nga gjykatat në mënyrë që të garojë në zgjedhjet e këtij viti, pasi kushtetuta e Bolivisë lejon vetëm dy mandate të njëpasnjëshme./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *