Udhëheqësit ushtarakë amerikanë informuan të hënën Presidentin Donald Trump në lidhje me sulmet e fundit ndaj objekteve të naftës në Arabinë Saudite.

 

Pas takimit, Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper tha në Twitter: “Ushtria e Shteteve të Bashkuara, me ekipin tonë ndërinstitucional, po punon me partnerët për të bërë vlerësimet rreth këtij sulmi të paparë dhe për të mbrojtur rendin ndërkombëtar që bazohet në rregulla dhe që po dëmtohet nga Irani.”

 

Presidenti Trump të hënën vuri në pikëpyetje pohimet e Iranit se Teherani nuk ka asnjë lidhje me sulmet me dronë që paralizuan gjysmën e prodhimit të naftës të Arabisë Saudite.

 

Presidenti amerikan tha në Twitter: “Mos harroni. Kur Irani rrëzoi një dron të SHBA tha se droni ndodhej në ‘hapësirën e tyre ajrore’ kur, në të vërtetë, nuk ishte aspak afër kësaj hapësire. Ata u kapën fort pas atij pretendimi, duke e ditur që kjo ishte një gënjeshtër shumë e madhe. Tani ata thonë se nuk kanë asnjë lidhje me sulmin ndaj Arabisë Saudite. Do ta shohim”.

 

Një zëdhënës ushtarak saudit tha se nga një hetim fillestar del se në sulm u përdorën “armët iraniane”.

 

Kryengritësit Houthi në Jemen të mbështetur nga Irani morën përgjegjësinë për sulmin që paralizoi prodhimin e naftës saudite prej 5.7 milion fuçi në ditë, por Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, pa ofruar asnjë provë, fajësoi iranianët, duke hedhur poshtë mundësinë që sulmi të kishte ardhur nga Jemeni.

 

Mediat irakiane të lajmeve njoftuan se sulmi ishte ndërmarrë nga Iraku i Jugut, ku militantët e mbështetur nga Irani kanë njëfarë baze, megjithëse qeveria irakiene hodhi poshtë mundësinë që territori i saj të ishte përdorur si bazë lëshimi.

 

Nafta u tregtua me një çmim 14 përqind më të lartë të hënën.

 

Presidenti Trump sinjalizoi gatishmërinë e SHBA për t’u kundërpërgjigjur, në pritje të më shumë provave për autorësinë e sulmit të së shtunës./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *