Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nga Brukseli, theksoi se Europa duhet të japë një “përgjigje të fortë dhe të unifikuar” ndaj shkeljeve të kryera nga Rusia me dronë në kufijtë e saj.
Ajo konfirmoi gjithashtu angazhimin e Bashkimit Evropian për masa të reja mbështetëse ndaj Ukrainës dhe për forcimin e industrisë evropiane të mbrojtjes.
Von der Leyen nënvizoi se BE-ja duhet të ndërmarrë hapa vendimtarë për ndërtimin e një “muri kundër dronëve” për të përforcuar sigurinë në kufijtë e jashtëm të Evropës.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili vuri në dukje rëndësinë e situatës.
Ai tha se, ndërsa aleanca po heton autorët e shkeljeve në Danimarkë, “në rastin e Polonisë dhe Estonisë është e qartë se bëhet fjalë për Rusinë”.
Rutte shtoi se është e rëndësishme të vlerësohet nëse këto veprime ishin të qëllimshme apo jo, duke theksuar se “edhe nëse nuk ishin të qëllimshme, ato janë të pakujdesshme dhe të papranueshme”.
Presidentja e Komisionit foli gjithashtu për Ukrainën, duke theksuar se, pavarësisht konfliktit të vazhdueshëm, vendi “nuk ka humbur thelbësisht asnjë territor këtë vit”.
Ajo vuri në dukje se sanksionet ndaj Moskës “po japin rezultate” dhe njoftoi paketën e 19-të të masave mbështetëse. Në këtë kuadër, BE-ja ka vendosur së bashku me Kievin të shpenzohen 2 miliardë euro për dronë, për të përforcuar kapacitetet operative të Ukrainës./vizionplus.tv





