Rekordi i Shqipërisë për hapjen e grupkapitujve mund të pasqyrohet edhe për mbylljen e tyre nëse vendi ynë vijon të zbatojë reformat e kërkuara.
Këtë qendrim mbajti Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila turin e saj vjetor në Ballkan e nisi me Tiranën, ku nuk munguan vlerësimet ndaj vendit tonë për punën e bërë.
“Ky është avantazh i procesit që bazohet në meritë dhe Shqipëria ka bërë progres në rrugën e reformave ndaj jam e bindur se kështu do të jetë edhe në pjesën e dytë të procesit sa i përket mbylljes së grupkapitujve të ndryshëm. Ne e duam këtë proces dhe ju po tregoni mirë sesa shpejt i hapët në një kohë rekord, sa ambiciozë mund të jeni jo vetëm në hapjen por edhe në mbylljen e grupkapitujve”, tha Presidentja.
Krah Kryeministrit Edi Rama Von der Leyen pranoi se Shqipëria ka bërë progres të qartë.
“Për mua është impresionuese të shoh progresin këto 2-3 vite. Populli shqiptar do integrimin në BE, dhe thotë që këto reforma janë për ne, që të forcojmë demokracinë dhe të bëhemi pjesë e BE”, tha von der Leyen.
Në konferencën për mediat, kreu i qeverisë përsëriti dhe një herë se objektivi për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027 eshte i dakordësuar edhe me Unionin.
“Pritshmëria është që brenda 2027 të mbyllen kapitujt dhe ne duhet të bëjmë të gjithë detyrat këtu dhe janë të mirëpërcaktuara kapitull për kapitull dhe plus edhe në planin e rritjes. Kështu që nëse sot ne marrim një vlerësim kaq pozitiv, vjen si rezultat i detyrave të bëra deri tani”, tha Rama.
Rama theksoi se përmbyllja e grupkapitujve është një shembull shtetformimi.
“Ne i bëjmë detyrat për veten tonë. Çdo detyrë që bëhet këtu me sukses, e bën Shqipërinë më të fortë dhe më funksionale si shtet. Për ne procesi i negociatave, i hapjes dhe mbylljes së kapitujve është proces shtetbërje demokratike”, tha shefi i qeverisë.
Presidentja e Komisionit Europian duke u ndalur te Plani i Rritjes, u shpreh se ekonomia shqiptare ka fituar akses në tregun e përbashkët. Më tej, ajo argumentoi se ekonomia e vendeve të Ballkanit Perëndimor do te dyfishohet brenda kësaj dekade. Von der Leyn renditi edhe arritjet e Shqipërisë sa i përket ekonomisë së përbashkët me tregun evropian.





