Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ironizoi kreun e PD, Lulzim Basha për deklaratën e këtij të fundit pasditen e kësaj të enjteje për zgjedhje të parakohshme. Në “Facebook”, Patozi tha se këto janë ëndrrat e Bashës, ndërsa me tallje shtoi se mund edhe të dalin. Ai bëri një paralelizëm edhe me ëndrrat e target-grupeve të caktuara.

 

“Të gjithë hallexhinjtë e botës kanë të përbashkët se urojnë me gjithë shpirt që të bëhet më mirë. Të varfërit luten që të bëhen një ditë të pasur, të sëmurët rëndë i falen Zotit që të shërohen, të burgosurit shpresojnë gjithmonë t’i kapë amnistia dhe të lirohen, e kështu me radhë të tjerët. Ndërsa Lulzim Basha paska uruar sot në facebook që të vijnë vetë zgjedhjet e parakohshme. Nuk e kanë keq, se ëndrra janë, mbase edhe dalin.”

 

Këtë pasdite, në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Lulzim Basha uroi që zgjedhjet e parakohshme të mbahen. Ai shtoi se ato duhet të zhvillohen pa Edi Ramën kryeministër që të mos cenohet procesi zgjedhor.

 

“Edhe unë uroj shumë. 3 janë dhe kërkesat kryesore që kemi. Së pari, vendit t’i jepet mundësia, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të zgjedhë një parlament legjitim, që të jetë produkt i votës së qytetarëve.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *