Uragani “Dorian” po kërcënon brigjet e atlantikut me erëra që arrijnë shpejtësinë më shumë se 200 kilometra në orë. Në shtetin e Floridas është shpallur gjendja e emergjencës pasi miliona njerëz parashikohet të preken nga stuhia e fuqishme që tashmë ka arritur kategorinë e katërt.

 

Presidenti amerikan Donald Trump anulloi vizitën në Poloni dhe bëri thirrje që të merren masat e nevojshme për të shmangur pasojat.

 

Donald Trump: “Jemi të përgatitur për ti paraprirë dëmeve që mund të shkaktojë uragani i cili fatkeqësisht ka marrë përmasat e një monstre. Shpresoj të kemi fat dhe t’ia dalim me sukses. Kujdesuni për sigurinë tuaj dhe merrni masat sipas autorizimeve nga autoritetet.”

 

Banorëve në shtetin e Floridas u është kërkuar që të rezervojnë ushqime, ujë dhe ilaçe të mjaftueshme për të zgjatur të paktën një javë.

 

Parashikuesit paralajmërojnë se” Dorian” mund të jetë stuhia më e keqe pas Uraganit “Andreu” i cili mori 65 jetë njerëzish dhe shkatërroi 63,000 shtëpi në vitin 1992.

 

Uraganët kanë tendencë të bëhen më të fortë ndërsa lëvizin mbi ujërat e ngrohtë si ato në Florida.

 

Stuhitë e kategorisë së katërt kanë fuqi të shkaktojnë dëme që ekspertët i quajnë katastrofike, si shkatërrimin e shtëpive dhe dyqaneve, dëmtimin e rrugëve dhe rrëzimin e pemëve si dhe linjave të energjisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.