Buxheti për vitin 2022 do të jetë 5.2 mld dollarë, me rritje 10.6% në krahasim me këtë vit.

 

Ish-zv.ministër i Financave në qeverinë e shkuar socialiste, Elton Haxhi, në një lidhje direkte me edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, e cilësoi një plan ambicioz rritjen e parashikuar.

 

“Rritja që është parashikuar në të ardhurat e vitit të ardhshëm është ambicioze për vetë kushtet e paqarta në të cilat gjendet ekonomia shqiptare për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të krizës energjetike. Megjithatë, nëse shohim parashikimin, unë do të thoja që është një buxhet i vazhdimësisë, pasi nuk shoh një ndryshim rrënjësor në buxhetin e vitit të ardhshëm.”

 

Sa i përket propozimit të opozitës për uljen e TVSH-së për produktet e shportës nga 20 në 6%, Haxhi vlerëson se çdo ulje e TVSH duhet evituar për aq kohë sa ekziston si mundësi.

 

“Është një çështje që ha debat, çdo diferencim në normën e TVSH; rekomandohet një normë e sheshtë, sa më e sheshtë. Është mirë që të aplikosh 20 për qindshin në minimumin e saj. Në këtë këndvështrim, por edhe duke pasur parasysh eksperiencat e mëparshme, do të thoja që çdo ulje e TVSH duhet evituar për aq sa do ketë mundësi. Në kushtet kur kemi të bëjmë me shërbime specifike, që e lehtësojnë sadopak qytetarin, pjesa e ilaçeve apo ndonjë produkti të kësaj natyre, atëherë mund të bësh dy përjashtime, po duhet të jetë e kufizuar. Në rastin e shportës, nuk do ta rekomandoja.”

 

I pyetur për defektin kryesor të këtij buxheti, ish-zv.ministri u përgjigj: “Kryesorja që do të përmendja është që nuk ka një fond kontigjencash. Nuk janë krijuar hapësira fiskale nëse diçka do të shkojë keq. Fondi rezervë është i ulët, më i ulët se vitin e shkuar. Çdo goditje që mund të vijë si pandemia, do të kërkojë një akt normativ tjetër që të krijojë një fond që përdoret për shtresat në nevojë apo krizën energjetike, apo krizat e tjera që do t’i vijën Shqipërisë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *