“Ulemi në tryezë me ndërkombëtarët si të barabartë”, Rama: Ne po ndërtojmë një Shqipëri me standarde, në 11 maj do të bëhen 1 mln votues për PS

Kryeministri Edi Rama ka vijuar komunikimin me qytetarët në rubrikën e tij në rrjetet sociale “Sy m’Sy”.
Ai ka thënë se në zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste do të ketë në anën e saj votat e 1 milionë qytetarëve, pasi sipas kryeministrit mazhoranca po ndërton një Shqipëri me standarde mbi kënetën e plagëve të thella që trashëguan kur morën detyrën.
Rama thekson se pas një beteje të gjatë e futi Shqipërinë në korridoret europiane në 2023.
Kryesocialisti nënvizoi se sot udhëheqësit e vendeve të tjera mblidhen këtu dhe bëjnë samite, ndërsa më parë ndërkombëtarët e shikonin Shqipërinë me nënqeshje.
Rama: Shëngjin-Velipojë është një aks i mahnitshëm, ajo rrugë tani është drejt përfundimit dhe postimi sot në mëngjes i videos për të ka nxitur komente, ndër të cilat dy a tre ia vlen të diskutohen.
Çfarë i karakterizon mijëra kilometra rrugë të ndërtuara prej nesh janë standarde, e këtë nuk e them unë por partnerët tanë të BE. Mos harro se pas një beteje të gjatë e futëm Shqipërinë në korridoret europiane në 2023, dhe po ndërtojmë korridorin blu dhe korridorin 8. Dhe rrugën e Kombit që u hap në kohën e kënetës, jemi përpjekur ta fusim në standardet europiane, dhe ende nuk ka mbaruar përpjekja. Ironia pastaj se standardet mungojnë se ne paguajmë zgjedhjet, është një fyerje direkt e 800 mijë shqiptarëve, që në 11 maj do t’i afrohet 1 milionëve që votojnë mua dhe PS, pikërisht sepse ne po ndërtojmë një Shqipëri me standarde mbi kënetën e plagëve të thella që trashëguam kur morëm detyrën.
Në 12 vjet namin mbase nuk e kemi bërë, por që namin e zi Shqipërisë ia kemi hequr, ia kemi hequr dhe kjo nuk ha asnjë diskutim. Sot udhëheqësit e vendeve të tjera mblidhen këtu dhe bëjnë samite. Më parë ndërkombëtarët e shikonin Shqipërinë me nënqeshje, sot ulemi në tryeze si të barabartë. Rrugë, shkolla, spitale, kurrë më shumë se në këtë dekadë nuk janë ndërtuar, dhe me standarde europiane. Dakord nuk del dot nga këneta, por të paktën mos e thuaj haptazi që nuk del dot.
/vizionplus.tv




