Qeveria amerikane do t’ia mundësojë Holandës dhe Danimarkës shpejt lejen për dhënien e avionëve luftarakë F-16 Ukrainës. SHBA ka siguruar të dy vendet, se procedura e marrjes së lejes do të përshpejtohet në mënyrë të tillë, që Kievi të furnizohet me avionët F-16, sapo të ketë marrë fund trajnimi i pilotëve dhe teknikëve ukrainas, bëri të ditur një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit për agjencinë gjermane të lajmeve, dpa. “Ne e vlerësojmë që Danimarka dhe Holanda drejtojnë koalicionin për trajnimin e pilotëve”, thuhet nga DASH.
Ukraina kishte deklaruar më parë, se nuk pret që këtë vit të marrë avionët luftarakë aq të kërkuar. “Është e qartë, që ne këtë vjeshtë dhe dimër nuk do mund të mbrojmë Ukrainën me avionët F-16”, tha zëdhënësi i aviacionit ushtarak ukrainas, Jurij Inhat.
Megjithatë konsiderohet si sukses, që pilotët ukrainas dhe teknikët “në një kohë të afërt” do të mund të fillojnë me trajnimin, citohet Inhat nga mediat ukrainase.
SHBA duhet të japë lejen për avionët dhe trajnimin
Brenda NATO-s u krijua gjatë muajve të fundit një koalicion i drejtuar nga Danimarka dhe Holanda, për të trajnuar pilotët ukrainas. Këtë e miratoi edhe SHBA. Kur u krijua ky koalicion u tha, se nga rezervat e Holandës, Belgjikës, Danimarkës e Norvegjisë mund t’i jepen Ukrainës avionë ushtarakë.
SHBA duhet të miratojë dhënien e avionëve luftarakë nga aleatët e saj tek Ukraina, sepse avionët ndërtohen nga koncerni amerikan, Lockheed Martin dhe kanë teknologji sensibël në bordin e tyre. Prandaj Uashingtoni ka të drejtën e fjalës, kur bëhet fjalë edhe për trajnimet. Megjithatë trajnimi i premtuar ende nuk është organizuar. Ofensiva ukrainase aktualisht shfaq probleme për shkak të mungesës së mbrojtjes nga ajri dhe po përparon shumë më ngadalë, seç kishte shpresuar Kievi./DW/