Ofensiva e shumëpritur e pranverës dështoi. Me kundërsulmin e dështuar të Ukrainës dhe lodhjen perëndimore si një refren të përhershëm, Vladimir Putin vazhdon të shpallë se synimet e luftës së Rusisë në Ukrainë mbeten të pandryshuara.

Ai shprehu të njëjtën gjë të martën e kaluar, para gjeneralëve të tij, duke u mburrur se Ukraina është në një gjendje kaq të rëndë sa trupat ruse “bëjnë çfarë të duan”, shkruajnë mediat ndërkombëtare.

Pavarësisht deklaratave publike, Kremlini po komunikon përmes diplomacisë prapaskenike interesin e tij për të konkluduar në një marrëveshje që do t’i japë fund luftës.

Sipas një raporti të New York Times, që nga shtatori i kaluar, presidenti rus thuhet se është shfaqur, nëpërmjet ndërmjetësve, i hapur ndaj një armëpushimi që do të “ngrijë” luftimet përgjatë vijës së zjarrit , thonë dy ish-zyrtarë rusë pranë Kremlinit.

Në fakt, sipas zyrtarëve amerikanë, lideri rus kishte bërë një “ofertë” të ngjashme për një marrëveshje të mundshme armëpushimi një vit më parë, në vjeshtën e vitit 2022 . Siç zbulojnë të njëjtat burime, ky mesazh u dërgua në prapaskenë dhe “në heshtje”, pas një fitoreje të rëndësishme të Ukrainës në veri-lindje të vendit që i kishte shkaktuar shqetësimin Putinit.

Megjithëse Putin publikisht i qëndron retorikës agresive, zyrtarët amerikanë po shohin një ndryshim në qasjen e tij, duke vënë në dukje se ai nuk po bën më thirrje për largimin e qeverisë Zelenskyi . Sipas të njëjtave burime, armëpushimi i promovuar nga Putini do të siguronte një Ukrainë sovrane me kryeqytet Kievin, por do të mbante nën kontrollin rus territoret e pushtuara aktualisht nga Rusia, të cilat përbëjnë rreth 20% të të gjithë territorit ukrainas. Putin, siç pretendojnë amerikanët, është i hapur për një marrëveshje të tillë, edhe pse pret një propozim më konkret./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *