E mërkurë, 25 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Vendi

Uji mban të pushtuara shtëpitë, Semani del nga shtrati, banorët kalojnë natën jashtë

Prej disa ditësh tashmë, përmbytjet vijojnë të rëndojnë situatën në disa zona të vendit, duke lënë pas dëme të mëdha materiale për qindra familje. Uji nuk është tërhequr ende, ndërsa strukturat e emergjencave civile mbeten në terren në monitorim të vazhdueshëm.

Situata më problematike paraqitet në Durrës, veçanërisht në zonën e ish-Kënetës, ku uji prej ditësh mban të përmbytura banesa, oborre dhe rrugë dytësore. Banorët thonë se uji u ka shkatërruar gjithçka, ndërsa era e rëndë dhe prania e ujërave të ndotura shtojnë frikën për probleme serioze shëndetësore.

Ndërkohë, situatë problematike është edhe në jug të vendit, ku niveli i lumit Vjosa eshte rritur serish duke arritur kuotën 7.5 metra duke përmbytur tregun e kafshëve pas urës së Mifolit. Forcat e Mbrojtjes Civile po punojnë për riparimin e një argjinature të dëmtuar më herët e cila kishte shkaktuar përmbytje edhe në fshatin Bishan.

Lumi Seman ka dalë nga shtrati në fshatin Murriz të Lushnjes mëngjesin e kësaj të diele. Prurjet e lumit janë të shumta ndaj në disa akse ka prezence të madhe uji . Ndërsa hyrja për në fshatin Murriz është bllokuar për shkak të niveli të lartë të ujit.

Reklamë

Banorët e kanë kaluar natën jashtë. Për të parë nga afër situatën në Murriz të Lushnjes ishte kreu i emergjencave civile Haki Çako.

Po ashtu katër grupe komisionesh verifikimi nisën sot punën në terren në fshatin Ferras për evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet, ku deri më tani janë konstatuar rreth 120 banesa të prekura, me dëme brenda shtëpive, në oborre dhe infrastrukturë ndihmëse.

Në qarkun e Shkodrës, situata paraqitet më e qëndrueshme. Por rreth 525 hektarë tokë bujqësore vijojnë ende të jenë nën prezencën e ujit, kryesisht në njësitë administrative Dajç, Velipojë dhe Ana e Malit.

Në fshatrat Obot dhe Dajç ka prezencë uji në oborret e disa banesave, por pa rrezik për evakuime. Megjithatë, në zonat më të goditura, ku uji ende nuk është tërhequr, banorët kërkojnë jo vetëm ndihmë emergjente, por edhe ndërhyrje serioze për të shmangur përsëritjen e kësaj situate të rëndë./vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë