Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro njoftoi se burokracitë për udhërrëfyesit turistikë janë lehtësuar, duke bërë të mundur që certifikatat e tyre për të ushtruar profesionin të jenë pa afat.
“Nga dy, u bë në 5 vite afati i certifikatave të udhërrëfyesve dhe në këtë pikë ku flasim për industri, nuk ka kuptim që udhërrëfyesit t’i hyjnë burokracive për të rinovuar certifikatat. Nuk kanë më nevojë të rinovojnë periodikisht certifikatat. Kjo ka qenë një kërkesë e sektorit. Sot kurorëzojmë dhënien e 700 certifikatave pa afat që i keni merituar falë punës suaj”, tha ministrja Mirela Kumbaro.
Në të gjithë vendin operojnë 932 udhërrëfyes turistikë të certifikuar, ndërsa funksionojnë edhe 15 qendra të akredituara për trajnimin e tyre.
“Kemi sot në total 932 udhërrëfyes të certifikuar, nga të cilët, 112 udhërrëfyes të specialitetit të veçantë, 691 udhërrëfyes turistikë kombëtarë dhe 120 udhërrëfyes lokalë. E gjitha kjo trupë që është shtuar gati tetë herë në katër vitet e fundit tregon se ka një treg shumë interesant që ka gjeneruar punësim dhe aktivitete për zinxhirin e ekonomisë”, deklaroi ministrja.
Udhërrëfyesit shpesh ngrihen si shqetësim nga agjencitë turistike që sjellin turistë të huaj sepse disa prej tyre punojnë në informalitet.
Për pasojë, shpesh turistët nuk marrin udhëzimet e duhura për destinacionet që duan të arrijnë, veçanërisht në zonat malore, dhe këto raste përfundojnë edhe me humbje të rrugës ose humbje të jetës.
/vizionplus.tv





