Një atentat mafioz tronditi Vlorën mbrëmjen e djeshme. Shënjestër e atentatit ishte Kevin Hajrulla, kushëriri i të fortit të Vlorës, Inez Hajrulla. Nga breshëria e kallashit mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit, Armand Spahiu 35 vjeç, tregtar shumice i fruta perimeve. Fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut, ndërsa 29-vjeçari është në gjendje të rëndë pasi ka marrë plagë të shumta në trup e në bark.
Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj, në emisionin “7pa5” tha se në drejtim të Hajrulla është qëlluar me 30 plumba.
Lexo edhe :
Autorët të cilët dyshohet se kanë qenë tre lëviznin me një makinë me targa italiane të vjedhura. Pas ngjarjes së rëndë, makina u gjet e djegur në fshatin Panaja, ndërsa brenda saj u gjetën edhe dy armë kallashnikov.
Esido Barkaj: Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 minuta, një orar që ka lëvizje njerëzish. Ka një qytetar të plagosur aksidentalisht. Ashpërsia që po përdorin autorët, të cilët janë shpesh me pagesë, ka rritur dhe rrezikun ndaj qytetarëve. Policia po vijon hetimet për mjetin që u gjet i djegur në Panaja të Vlorës. U gjetën edhe dy armë tip kallashnikov. Dyshohet se kanë qenë tre persona, dy qitës dhe një shofer. Janë gjetur 30 plumba në vendngjarje. Hajrulla është plagosur rëndë. Në orët e para të mëngjesit është transportuar në spitalin e Traumës pasi është qëlluar me mbi 30 plumba, të cilët e kanë kapur në pjesën e barkut dhe në organet jetike. Qytetari tjetër është në gjendje të mirë dhe jashtë rrezikut në spitalin e Vlorës. I riu është i afërt i një prej personave më të kërkuar të Vlorës, Inez Hajrulla. I ka shpëtuar tre atentateve dhe dyshohet se fshihet jashtë vendit. Sa i përket atentatit ndaj Kevin Hajrulla, ende nuk ka një pistë konkrete. Po verifikohen konfliktet që mund të ketë pasur me persona të tjerë. Pistë kryesore mbetet nëse ai është pjesë apo jo e grupit të Inez Hajrulla, kushëririt të tij.
Kush është Inez Hajrulla dhe si i shpëtoi disa atentateve?
Ngjarja e parë ndodhi në vitin 2017, Hajrulla ishte pre e një atentati me tritol ku mori dëmtime të rënda në të dyja këmbët, ndërsa tjetri ndodhi me 10 maj të vitit 2019 në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ku Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, teksa ishte ulur në një lokal.
Hajrulla i shpëtoi atentatit, por u plagos rastësisht Dajko Cenodemaj që po pinte kafe në Lungomare me disa miq. Sipas policisë dhe prokurorisë së Vlorës, në këtë atentat të dështuar morën pjesë nëntë persona, Fatmir Hyseni, Daut Elmazi, Igli Memaj, Gentian Dauti, Serxho Ademi, Albano Goxhaj, Dejvison Serjani, Ardjan Ahmeti dhe Xheladin Merko.
Për atentatin e dytë, Hajrulla tregoi në Gjykatë se sapo kishte parë që një person zbriti nga një automjet që në pamje të parë ju duk si “Land Rover” kishte nxjerrë një armë lodër nga çanta e ka nisur të qëllojë drejt tij. Për këtë arsye, personi në fjalë është trembur e është kthyer mbrapsht.
“…unë sapo pashë këtë person që po vinte drejt lokalit, kam nxjerë nga çanta marsup një pistoletë imituese lodër, dhe kam filluar të qëlloj. Nuk e mbaj mend sa herë kam qëlluar, por di që një gjë të tillë, e kam bërë disa herë me rradhë. Për shkak të të shtënave që bëra, personi që zbriti nga makina dhe kishte armë automatike në dorë, është kthyer sërisht prapa dhe ka hipur në makinë, duke u larguar drejt qytetit…”-ka deklaruar Inez Hajrulla.
Ai shtoi në gjykatë, se armën tip pistoletë lodër, kishte ardhur dhe ja mori nga dora, shoku i tij, Ervis Matodashaj, i cili më pas është larguar me vrap. “…nga vendgjarja jam larguar dhe unë. Por kur mësova se policia më kërkonte dhe kishte nxjerë në kërkim, kam vendosur të dorëzohem, duke shpjeguar situatën që ka ndodhur…”-është shprehur Hajrulla.
Në muajin korrik 2021, gjykata për këtë ngjarje dënoi Xheladin Merkaj me 4 vjet vjet burgim për akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit” dhe “Moskallëzimit të krimit”. Për të dyja këto akuza, me tre vite burgim është dënuar i pandehuri tjetër, Ardjan Ahmeti. Me dy vite burgim është dënuar Dejvison Serjani, për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”. Ndërsa një vajzë me emrin Nensi Shaqiri, e marrë e pandehur për këtë ngjarje për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”, është dënuar me 1 vite e 6 muaj burgim./vizionplus.tv






