Subscribe

Kreu i grupi parlamentar të PD, Gazment Bardhi deklaroi nga godina e Prokurorisë së Posaçme se dosja e famshme e laboratorit të Xibrakës është rihapur. Ai u paraqit në SPAK për t’iu përgjigjur thirrjes së prokurorit, nëse i qëndron deklaratave publike lidhur me çështjen.

“Gjithçka që kam denoncuar publikisht e kam dorëzuar në SPAK. Jam informuar me shkrim nga drejtuesi i SPAK dhe hetuesit e BKH se dosja e Xibrakës është rihapur, ka rinisur hetimi për identifikimin e personave të përfshirë. Seanca e marrjes në pyetje kishte vetëm një pyetje, u thirra si person në dijeni dhe u pyeta nëse kisha diçka për të shtuar”, tha Bardhi.

Lexo edhe :

Related Posts

Pyetjes nëse është informuar për kallëzimin për shpifje që vëllai i kryeministrit, Olsi Rama ka bërë ndaj tij, ai iu përgjigj:

“Kam zero interes se çfarë bën Olsi Rama ose nxitet të bëjë nga i vëllai për efekt të propagandës së ditës. Nuk mund të ketë kallëzim të rremë sa kohë informacioni që unë kam sjellë është cilësuar nga prokurorët e çështjes si i mjaftueshëm dhe e dhënë konkrete për të rihapur një procedim penal. Të paktën dy herë ka kryer ai kallëzim të rremë, por unë nuk merrem, pasi hetimi ndaj tij duhet të jetë i thelluar për laboratorin e kokainës në Xibrakë, që unë e kam përcjellë në SPAK. Kësaj çështje nuk i ikën dot as me letra bakalli, as me propagandë dite dhe as duke bërë viktimën”, u shpreh ai.

Gazment Bardhi apeloi edhe që dy prokurorët që kanë pasur në dorë dosjen e Xibrakës dhe e kanë mbyllur atë, duhet të vihen nën hetim.

“Është e pafalshme që një pjesë e grupit kriminal ndoshta kokat e këtij grupi kanë mbetur të paidentifikuar nga Prokuroria. Ajo është çështje me rëndësi themelore publike sepse bëhet fjalë për laboratorin e parë të kokainës në vendin tonë dhe duhet të kishte pasur një hetim të serioz dhe të gjithanshëm nga prokuroria”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit, prokurorët e mbyllën enkas çështjen për të fituar në vetting.

Në 2014 partnerët ndërkombëtarë sinjalizuan organet shqiptare për laboratorin e ngritur në Xibrakë. Asokohe brenda magazinës u arrestuan 8 persona.

Në laborator u gjet dhe u sekuestrua 19 kilogramë kokainë dhe 8 kilogramë përzierës i kësaj lënde narkotike. Sipas Bardhit pjesë e këtij rrjeti kriminal, ka qenë edhe Olsi Rama, por që për të hetimet u pushuan. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *