Në SPAK, ku i duhet të paraqitet dy herë në muaj, Sali Berisha, publikoi një dokument që sipas tij provon se gjyqtarja Irena Gjoka, që i ashpërsoi masën në arrest shtëpie, ka qenë e dënuar nga drejtesia greke.
Sipas këtij dokumenti, Gjykata e Janinës e ka shpallur fajtore Irena Gjokën për falsifikim dokumentesh duke e dënuar me 3 muaj burg dhe 1500 euro gjobë, dënim që sipas kreut të PD, nuk është deklaruar në formularin e vetëdeklarimit, siç e kërkon ligji.
“Njeriu që kryesonte Gjykatën Speciale të shqiptarëve, ishte një delikuente e paftyrë, e pa moral, e pa karakter, e dënuar me burg në vendet fqinj, dhe përdorej si skllave nga Edi Rama dhe regjimi aktual. Irena me 5 mbiemra, e përfolur për ryshfete gjysëm milionëshe, jo në një por në disa raste, rezulton se në vitin 2005 është dënuar nga kolegji penal i Janinës, me burg dhe gjobë. Kjo monstër, në vend që të vuajë dënimet, është lartësuar në kryetaren e Gjykatës Speciale, nga Edi Rama, Taulant Balla dhe është keqpërdorur në shkallë ekstreme nga Altin Dumani”, tha Berisha.
E zakonshme sa herë kreu i demokratëve paraqitet në Prokurorinë e Posaçme është bërë një pusullë, në të cilën kësaj radhe shkroi: Amnistia elektorale është një krim i shëmtuar, antikushtetues, i Altin Dumanit, shërbëtorit të Edi Ramës, i cili kërkon të shndërrojë Kushtetutën në ‘Kushtetutën e Dumanit’. Kurrë nuk do të ketë firmën time aty.
Ndërsa për kandidatin për deputet të Korçës, Bledion Nallbati që dhunoi shoferin e kamionit, Sali Berisha refuzoi të flasë. Po sot pritet që Gjykata e Posaçme të dalë me vendimin nëse dosjen “Partizani” do ta kalojë apo jo për gjykim.
Për këtë çështje Berisha akuzohet se ka kryer korrupsion, në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, një notere dhe dy biznesmenë duke privatizuar truallin e ish- kompleksit sportiv.



/Vizionplus.tv