Subscribe

Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar  menjëherë pas padisë që Olsi Rama bëri ndaj tij.

Më herët Olsi Rama paditi Gazment Bardhin në SPAK , pas deklaratave të këtij të fundit se vëllai i kryeministrit kishte lidhje me laboratorin e drogës në Xibrakë. Rama paditi  Bardhin për kallëzim të rremë dhe sipas tij deklaratat e nënkryetarit të PD-së së Rithemelimit janë të pavërteta dhe provat e paraqitura janë të paqena.

Lidhur me këtë padi, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Gazment Bardhi e cilësoi padinë e Olsi Ramës  si një “letër qesharake”. Bardhi pretendon se nuk ka dy të vërteta. Sipas Bardhit versioni i tij është i vërtetë dhe  pretendimet e Ramës janë të pavërteta.

Në postimin e tij, Bardhi ka renditur faktet që ka kundrejt Olsi Ramës.  Në fund të postimit Bardhi i kërkon kryeministrit Rama që mos fshihet  pas vëllait të vogël.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit në Facebook

“Të mendohesh 5 ditë për të bërë një letër qesharake si kjo e Edi/Olsi Ramës ndaj meje do të thotë se je në hall të madh! Po! Nuk ka dy të vërteta! Ka vetëm një të vërtetë!

Fakti 1. Olsi Rama, bashkë me krerët e organizatës së kokainës, kanë përdorur të njëjtën makinë me targa AA653DM për të kaluar 18 herë kufirin në kohën ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakës.

Fakti 2. Është fakt, jo sajesë politike, se nga 18 hyrje-daljet e makinës me targa AA653DM të grupit kriminal, 7 prej tyre i përkasin Olsi Ramës.

Fakti 3. Është fakt dhe jo sajesë politike se policia dhe prokuroria nuk ka identifikuar një përdorues të makinës me targa AA653DM, edhe pse i ka identifikuar moshën 45 vjeç. Olsi Rama është përdorues i kësaj makine dhe në atë periudhë ka qenë fiks 45 vjeç.

Fakt 4. Policia dhe Prokuroria sipas gjykatës kanë kryer hetime të mangëta dhe kanë lënë në harresë dosjen 335/1-2016 që kishte si qëllim të identifikonte bashkëpunëtorët e tjerë të grupit kriminal.

Nga ana njerëzore, ndiej keqardhje për Olsi Ramën. I vëllai, për të shpëtuar nga përgjegjësia, po e përdor edhe atë si çdo bashkëpunëtor që ka keqpërdorur dhe e ka hedhur më pas prapa hekurave!

Politikisht, kam një kërkesë për Edi Ramën! Mos u fshih pas vëllait më të vogël! Në parlament të enjten ke gjithë kohën për të treguar çfarë bënte yt vëlla me makinën që përdorte grupi i kokainës! Harroje se mund të bësh edhe me SPAK siç bëre me dy prokurorët që mbyllën sytë dhe dosjen bashkë me sytë!”

Laboratori i drogës në Xibrakë:

Grupi i drogës “Xibraka” u zbulua në janar të vitit 2015, gjatë një operacioni të policisë të asistuar nga agjentë të policisë gjermane, ku u sekuestrua sasia rekord e kokainës prej 100 kg. Droga u gjet në një magazinë në fshatin Xibrakë 10 km larg qytetit të Elbasanit. Tetë persona u arrestuan brenda dhe pranë magazinës së drogës, mes tyre dhe kreu i grupit Sajmir Batku, nipi ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha dhe dy shtetas kolumbianë.

Në kërkim u shpall Genci Xhixha, i cili njihet si kreu i një rrjeti të fuqishëm të trafikut të kokainës në Europë dhe më gjerë. Hetimet nisën pas informacionit të përcjellë nga autoritetet gjermane që në datën 17.12.2014, për trafik kokainë nga Shqipëria drejt Gjermanisë.

“Sot kam depozituar në SPAK kallëzimin për deputetin e paturpshëm Gazmend Bardhi, i cili ka cënuar publikisht nderin dhe dinjitetin tim publik, si individ, prind dhe drejtues i një klubi të mirënjohur futbolli, duke shpikur një lidhje totalisht inekzistente mes meje dhe një grupi trafikantësh të drogës”, njofton Olsi Rama.

“Unë nuk jam politikan dhe s’kam asnjë lidhje tjetër me politikën, përveçse si votues i tim vëllai ashtu si qindramijëra të tjerë dhe arsyeja kryesore e neverisë time të hershme me politikën është pikërisht kthimi i shpifjeve në një normalitet të jetës publike. Uroj shumë që SPAKU, tek i cili bashkë me plot të tjerë kam edhe unë besim, si diçka ndryshe në zullumin kaq vjeçar të drejtësisë, të mos e çojë kallzimin tim në koshin e madh të këtij normaliteti absurd, që po shkatërron fare bazën elementare të besimit tek fjala dhe të vërtetat e këtij vendi. Pra po shkatërron vetë shoqërinë dhe po hedh në erë në mënyrë të pariparueshme themelet e edukatës për rininë.

Jam i gjithi në dispozicion të hetimit të atyre që deputeti i pacipë i quan prova mbi përkatësinë time në një grup kriminal trafikantësh droge, ndërsa unë nuk mund t’i quaj ndryshe përveçse si shpifje për një fabrikim pervers me qëllim manipulimin e opinionin publik, për motive të dobëta politike.

Troç fjala këtu s’mund të ketë dy të vërteta dhe ose unë duhet të shkoj në burg si trafikant ose Gazmend Bardhi duhet të ndiqet penalisht dhe dënohet si fabrikues provash në dëmin tim, të fëmijëve të mi, të klubit të futbollit “Partizani”, të miqve të mi dhe të njohurve të mi.

Solidariteti i këtyre të fundit gjatë këtyre ditëve më lumturon, po nuk më mjafton. Shoqëria duhet të dijë të vërtetën dhe duhet ta mësojë nga drejtësia. Shqipëria s’mund të ketë një kryeministër që e ka vëllain një trafikant droge që lëviz i lirë nëpër Tiranë. Sikur edhe vetëm një shqiptar i ndershëm të gënjehet nga kjo maskaradë dhe ta besojë këtë çmenduri, të cilën as vetë sharlatani që e ka hedhur në pazarin e llafeve nuk e beson, kjo mjafton që drejtësia të mos heshtë duke e nënvleftësuar peshën e kësaj poshtërsie si as e para dhe as e fundit.

Dikush, dikur, diçka, duhet të bëhet sebep që ky turp kombëtar i pashoq me asnjë vend në Europë – ku njerëz me mandate nga populli, me një mikrofon në ekran apo me një portal në internet gënjejnë e sajojnë po aq shumë sa marrin frymë – të goditet nga e vërteta e drejtësisë së re. Nëse është vërtetë e re natyrisht”, shprehet ai. /vizionplus.tv.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *