Një turiste spanjolle e cila është në muajin e gjashtë të shtatzënisë është shpëtuar në kohë teksa po ekspoloronte shtegun Theth-Valbonë. Gjatë ecjes në këmbë, gruaja në pritje të ëmbël nuk është ndier mirë dhe ka kërkuar ndihmë. Menjëherë një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë është nisur nga Tirana duke i ardhur në ndihmë mamasë së re, e cila ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë rrezikut për jetën.

 

Pas këtij operacioni shpëtimi që rezultoi i suksesshëm reagoi edhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila në llogarinë e saj në Facebook shkroi: “Një turiste spanjolle në muajin e gjashtë të shtatzënisë është shpëtuar për mrekulli në shtegun Theth-Valbone falë ndërhyrjes në kohë të ekipit të Njësisë së Helikopterëve. Nëna dhe fëmija janë jashtë rrezikut për jetën, falë kujdesit mjekësor të stafeve tona”.

 

Ky është rasti i tretë brenda një kohe të shkurtër që zhvillohen operacione shpëtimi për turistët e huaj në Alpet shqiptare. Fillimisht ishte një grua gjermane që mbeti e bllokuar, pak ditë më parë disa turistë francezë që po ashtu humbën rrugën dhe mbetën të izoluar dhe së fundmi edhe turistja spanjolle.

 

Në dy rastet e para kanë qenë forcat e Policisë dhe banorët e zonës që u kanë ardhur në ndihmë turistëve. Alpet Shqiptare kanë bukuri të rralla natyrore ndaj preferohen nga të huajt, numri i të cilëve është shtuar, por nga ana tjetër gjithnjë kërkohet kujdes për shkak të zonave të thepisura dhe rrezikshmërisë së tyre./Living/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *