Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi deklaroi se mazhoranca ka futur në axhendën e punës së Kuvendit edhe miratimin e ligjeve që u është dhënë “OK” në Këshillin Politik. Bylykbashi tha se dikça e tillë ndodhi pasi opozita i bëri presion.

 

“Ligjet u miratuan në korrik në Këshillin Politik si pjesë e marrëveshjes së 5 qershorit, por për dy muaj u mbajtën të fshehur në sirtaret e Kuvendit. U desh presioni i opozitës në Këshillin Politik ditën e martë 22 shtator dhe presioni ndërkombëtar që përfaqësuesit e PS t’i nxirrnin nga sirtari pas dy muajsh fshehjeje dhe t’i regjistronin sot në Kuvend. Njëri ligj i kalon SPAK-ut kompetencën për të hetuar shitblerjen e votës. Një ligj i shtrëngon rripat prokurorisë së zakonshme për të goditur krimet e tjera zgjedhore dhe jo t’i tolerojë ato siç ka bërë deri më sot. Një ligj qartëson rolin e policisë në zgjedhje që kryeministri të mos i japë më urdhër policëve që të bëjnë fushatë për PS. Ligjet e tjera godasin fenomene të tjera që cenojne zgjedhjet. Të gjitha të miratuara mbi bazën e propozimeve të Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik.”

 

Teksa akuzoi mazhorancën se po i shet ligjet sikur janë të iniciuara prej saj, Bylykbashi kërkoi miratim të menjëhershëm në Kuvend dhe Parlament.

 

“Sot sharlatanët e mazhorancës na i paraqitën sikur janë iniciativat e tyre. Ata kanë vetëm një detyrë tani mbi bazën e marrëveshjes së 14 janarit: t’i miratojnë këto ligje pa asnjë ndryshim, siç janë miratuar nga Këshilli. Ato ligje sot duhej të ishin miratuar e të ishin në fuqi, por Edi Ramës nuk i intereson goditja e krimit zgjedhor.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *