U dënua për shpërdorim detyre, Vangjush Dako rekurs në Gjykatën e Lartë

Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Apelit të GJKKO-së, i cili e riktheu në burg për të vuajtur edhe 10 ditë të mbetura nga dënimi për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Më 16 shtator 2025, Apeli i Posaçëm e dënoi Dakon me 2 vite e 8 muaj burg. Megjithatë, pas përllogaritjes së kohës së kaluar në paraburgim dhe më pas në “arrest shtëpiak” gjatë hetimeve, atij i mbetën për t’u kryer edhe 10 ditë burg.
Po ashtu, rekurs kanë paraqitur edhe Fiqiri Farruku, Fatmir Ejupi dhe Adrian Bulku, të shpallur fajtorë për shpërdorim detyre në lidhje me tenderat në bashki. Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Genti Shala, në cilësinë e relatorit.




