E hënë, 5 Tetor 2026 Lajmet e Fundit deri në 03:40 Në vijim ora 03:40: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

U bllokuan në lumin Drini i Zi, shpëtohen 7 anëtarë të një familjeje në Bulqizë

Rritja e menjëhershme e nivelit të ujit në Drinin e Zi, shpëtohen 7 qytetarë të bllokuar në Bulqizë

Shtatë qytetarë, të cilët kishin mbetur të bllokuar në rrjedhën e lumit Drini i Zi, në zonën e njohur si “Ura e Gjoricës” në Bulqizë, janë shpëtuar falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë dhe shërbimeve të emergjencës.

Reklamë

Sipas njoftimit të Policisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë reaguan menjëherë pasi morën njoftimin nga një qytetar, i cili kërkoi ndihmë pasi ai dhe gjashtë familjarë të tij kishin mbetur të izoluar si pasojë e rritjes së menjëhershme të nivelit të ujit në lumin Drini i Zi.

Në operacion u angazhuan edhe shërbimet e Emergjencave Civile të Prefekturës Dibër, si dhe efektivët e shërbimit zjarrfikës. Pas organizimit të ndërhyrjes, të shtatë qytetarët u nxorën në mënyrë të sigurt nga rrjedha e lumit me gomone.

Fatmirësisht, të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia e Dibrës apelon ndaj qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal gjatë qëndrimit pranë lumenjve dhe zonave ujore, veçanërisht në rastet kur niveli i ujit mund të ndryshojë papritur. Gjithashtu, fton qytetarët të njoftojnë menjëherë Policinë për çdo situatë emergjente në numrin pa pagesë 112.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë