Subscribe

Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk e ka përfunduar në Shkup turin e tij në Ballkanin Perëndimor. Pasi ka takuar kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev, në një konferencë të përbashkët për shtyp, Tusk ka vlerësuar vullnetin politik për të ecur përpara. Ai ka ofruar mbështetjen për anëtarësimin e Maqedonisë  në strukturat euro-atlantike.

 

 “Këtu në Shkup unë shikoj një udhëheqje të guximshme dhe largpamëse të Kryeministrit Zaev. Rekomandimi i Komisionit Europian për të hapur bisedimet e pranimit është prova më e mirë se një kapitull i ri dhe premtues është gati të fillojë në historinë e vendit tuaj. Përtej tregtisë dhe investimeve, jam i bindur se BE është shpresa më e mirë për një të ardhme më të mirë për qytetarët tuaj. Ju keni provuar me Bullgarinë se aty ku ka vullnet për të kapërcyer problemet e së kaluarës, ka një rrugë për të ardhmen.”

 

Ndërsa kryeministri Zoran Zaev theksoi se Maqedonia mbetet e përkushtuar në realizimin e reformave dhe gjithashtu në zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë.

 

 “Pas lajmit të mirë të Komisionit Europian për rekomandimin, ne e shohim vizitën e z. Tusk si inkurajim por edhe përgjegjësi. Dolëm nga një krizë politike dhe u kthyem në rrugën që po ndjekin të gjitha vendet e BE-së. Kemi dhënë maksimumin brenda këtyre 10 viteve. Reformat do të jenë më konkrete dhe më efikase. Me gjithë energjinë tonë do të dëshmojmë me argumente se jemi të gatshëm për tu bë pjesë e BE-së.”

 

Turi i presidentit te Këshillit Europian ne Ballkanin Perëndimor kishte per qellim te rikonfirmonte mbështetjen e unionit per perspektiven e integrimit te vendeve te rajonit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *