Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha se Ankaraja do të hakmerret kundër sanksioneve të mundshme nga Uashingtoni.

 

SHBA-ja e ka kërcënuar Turqinë me sanksione për shkak të marrëveshjes me Moskën për blerjen e sistemit raketor rus S-400.

 

Në komentet për agjencinë turke të lajmeve Anadolu, Cavusoglu tha se Turqia ka të drejtë të vendosë për blerjet e saj si “një shtet i pavarur dhe i lirë”.

 

Marrëveshja e Turqisë me Rusinë i ka dëmtuar marrëdhëniet e saj me SHBA-në.

 

SHBA-ja thotë se raketat S-400 janë kërcënim për avionët e saj luftarakë F-35.

 

Kathryn Wheelbarger, ushtruese e detyrës së ndihmëssekretares amerikane të Mbrojtjes, tha muajin e kaluar se pasojat do të jenë “shkatërruese” për bashkëpunimin e Turqisë me NATO-n, nëse Ankaraja vazhdon me planet e saj për blerjen e sistemit raketor rus.

 

Wheelbarger tha se blerja do ta dëmtonte aftësinë e Turqisë për të punuar me aleancën perëndimore dhe do ta detyronte Uashingtonin të vendoste sanksione ndaj Ankarasë.

 

Cavusoglu tha se Turqia do të përgjigjet me “kundër-hapa” nëse Uashingtoni i vë sanksione./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *