Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan njoftoi se trupat turke dhe aleatët e tyre të ushtrisë së lirë siriane kanë marrë  kontrollin e qendrës së qytetit Afrin.

 

Operacioni turk që zgjati rreth 2 muaj synon të spastrojë Afrinin, një qytet pranë kufirit me Turqinë, nga milicitë kurde që konsiderohen prej Ankarasë si grup terrorist.

 

Më shumë se 150 mijë civilë janë larguar nga Afrini që prej nisjes së ofensivës turke. Aktivistët thonë gjithashtu se 280 civilë kanë humbur jetën, edhe pse kjo mohohet nga Ankaraja.

 

Turqia i konsideron luftëtarët YPG të milicisë kurde  si zgjatim të partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit, që lufton prej 3 dekadash për autonominë e kurdëve në juglindje të vendit.

 

Operacioni turk në Afrin i quajtur “Dega e ullirit” është dënuar fuqishëm nga Damasku, duke e quajtur veprimin e Ankarasë “një shkelje të sovranitetit të vendit”. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu është përgjigjur duke thënë  se ruajtja e integritetit territorial të Sirisë është qëllimi i përbashkët i Ankarasë dhe Damaskut dhe se trupat turke nuk do të sulmojnë forcat qeveritare në Siri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *